E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pastrimi i parave, prokuroria provim para KE-së

Ekspertët e Komisionit Europian marrin informacione në njësinë Task-Forcë. Problem, bashkëpunimi ndërkombëtar

Në ditën e tretë të qëndrimit të tyre në Shqipëri, ekspertët ligjorë të Komisionit Europian kanë marrë në “pyetje” sërish krerët e Prokurorisë së Tiranës, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Provimi” i djeshëm i prokurorisë shqiptare kishte të bënte me temën e “pastrimit të parave”, një vepër e re penale për akuzën shqiptare. Ekspertët kanë marrë në “dorë” çështje konkrete të prokurorisë shqiptare, duke i krahasuar me çështje penale në prokuroritë e vendeve të BE-së. Krahas arritjeve dhe rezultateve, drejtuesit e Njësisë Antikorrupsion, të pagëzuar si Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, i kanë bërë me dije ekspertëve të Komisionit Europian se kanë një sërë çështjesh e shqetësimesh për kategorinë e veprave penale të krimit të organizuar dhe veçanërisht, atë të pastrimit të parave. Sipas tyre nuk mjafton vetëm dëshira e mirë për të luftuar këtë fenomen, por duhet edhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Drejtuesit e prokurorisë shqiptare morën si shembuj disa raste ku drejtësitë e vendeve perëndimore apo dhe rajonit nuk i kishin kthyer përgjigje letërporosive që iu kishte dërguar Shqipëria. “Disa dosje kanë mbetur të pezulluara, pasi nuk është faktuar pastrimi i parave, ndërsa të tjera janë në vendnumëro, pasi shumë vende nuk kthejnë asnjë përgjigje për transfertat e të hollave nga një shtet në tjetrin”, mësohet t’u kenë thënë përfaqësuesit e akuzës ekspertëve të KE-së.

Në vijim të bisedës, drejtuesit e prokurorisë shqiptare i kanë thurur lavde bashkëpunimit hetimor me shtete si Italia, Gjermania, Anglia, Franca dhe vendeve të tjera perëndimore, ndërsa kanë drejtuar “kritika” ndaj vendeve të rajonit apo edhe shteteve si Greqia apo dhe Qipro.

Paraprakisht ekspertët e Komisionit Europian kanë pohuar se Prokuroria e Përgjithshme Shqiptare ka ndërmarrë një sërë hapash për të luftuar krimin, por ajo duhet të jetë më e vëmendshme për rritjen e numrit të çështjeve që lidhen me korrupsionin, fenomen ky që, sipas raporteve, është shumë i përhapur në vend. Veç kësaj, sipas ekspertëve, duhet punuar edhe më mirë në hetimin e çështjeve të trafikimit të qenieve njerëzore dhe fëmijëve, pasi për këtë vepër penale ka shumë pak çështje të hetuara, në krahasim me rastet e publikuara nga organizatat që operojnë në fushën e të drejtave të njeriut. Ndërkohë, ajo që u cilësua si më parësore ishte “ndjekja e parave” dhe implementimi i ligjit të ri “Antimafie”. Edhe ligji që konfiskon asetet e krimit të organizuar ka qenë në fokusin e interesimit të raportuesve të Komisionit Europian. Ata kanë bërë një sërë pyetjesh për të dhe kanë marrë informacione nga zyrtarët e prokurorisë për t’i bashkëlidhur më pas në raportin që do të përgatisin për Shqipërinë.

Mësohet se ekspertët kanë marrë kontakte informuese edhe nga shefat e sektorëve të prokurorisë shqiptare.

Disa muaj më parë, organi i akuzës u ka dhënë përgjigje rreth 90 pyetjeve të Komisionit Europian për krimin e organizuar, reformën në drejtësi dhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me këtë fushë. Përgjigjet i janë dërguar Ministrisë së Integrimit dhe më pas janë dërguar nga kjo e fundit në KE. Por, duket se raportuesit kanë pasur paqartësi për disa përgjigje të dhëna dhe kanë preferuar ta “kontrollojnë” personalisht organin e akuzës. Mësohet se gjatë takimeve që kanë zhvilluar në prokurori, janë diskutuar edhe çështje konkrete për mënyrën e funksionimit të ligjit dhe më pas informacioni i marrë do të kontrollohet me përgjigjet që kanë dhënë zyrtarët e prokurorisë. Ndërkombëtarët kanë ngulmuar më shumë te veprat penale të pastrimit të parave, ndërsa nga prokuroria u bë me dije se struktura e Task-Forcës në Tiranë ka hetuar rreth 20 çështje të tilla, ndërsa po bashkëpunohet me Prokurorinë e Krimeve të Rënda për sekuestrimin dhe bllokimin e aseteve që kanë prejardhje kriminale.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›