E Diel, 1 Nëntor 2026

Urgjentisht të ndryshohen ligjet zgjedhore

Dy institucionet kryesore zgjedhore kërkojnë urgjentisht ndryshimin e ligjit zgjedhor, me qëllim të evitimit të parregullsive që janë shënuar në zgjedhjet e fundit lokale.

KQZ’ja dhe KZAP’ja thonë se ligji aktual zgjedhor ka hapësirë për interpretime të dyfishta, gjë që ka shkaktuar konfuzion dhe ka reflektuar në vonesa e parregullsi të shumta.

Kryetarja e KQZ’së, Nesrin Lushta i tha Radio Kosovës se ligji ka defekte të mëdha dhe ka vështirësuar në shumë raste punën e organit të zgjedhjeve.

“Si Komision Qendror i Zgjedhjeve që kemi aplikuar këtë ligj, kemi parë se ligji ka shumë mangësi dhe defekte në kapituj të tërë. Për këtë arsye duhet bërë ndryshime të mëdha. Të hiqet votimi me kusht, ai me postë të shqyrtohet dhe të definohen kompetencat e KZAP’së. Këto vërejtje i ka bërë edhe Komisioni Evropian dhe shpresojmë që do të konsultohet edhe KQZ’ja kur të fillojë ndryshimi i këtij ligji”, tha Lushta.

Ndërsa Kryetari i KZAP’së, Tahir Rrecaj tha se Ligji për zgjedhjet duhet të ndryshohet në 90 për qind të materies së tij.

“Ligji ka shumë paqartësi, lë shumë dualizma, lë mundësi dhe interpretime të shumëfishta, prandaj urgjentisht duhet të ndryshohet”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›