Urimet për fitoren e socialistëve, liderët europianë mesazhe kryeministrit Edi Rama

Pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 Majit, urimet për kryeministrin Edi Rama kanë ardhur nga liderë ndërkombëtarë, të cilët e kanë përgëzuar për rezultatitn.
Në mesazhin e tij kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka shprehur gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Urime Edi Rama për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin për të sjellë rezultate për njerëzit e zakonshëm në të dy vendet tona”, tha Starmer.
Në urimin e tij kryeministri Hungarez Viktor Orbán shprehu gëzimin për mundësinë e takimit të tij me Ramën këtë të premte në Tiranë gjatë Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian.
“Urime Kryeministrit Edi Rama për fitoren e tij bindëse në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë. I dashur Edi, mezi pres t’ju shoh këtë të premte në Tiranë në atë që mund të jetë një Samit historik”, tha Orban.
Një urim erdhi edhe nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.
“Urime Edi Rama, për fitoren bindëse të Partisë Socialiste në zgjedhje. Shqiptarët mbështesin në masë dërrmuese përpjekjet për ta çuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian”, tha Sanchez.
Më herët mesazhet e urimit për kryeministrin e Shqipërisë kanë ardhur edhe nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe kryeministri kroat Andrej Plenkovic./vizionplus.tv