E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urso: Ademi, një shembull i menaxhimit efikas në sport

Tirane (Start) - Asambleja Vjetore e Konfederatës Mesdhetare të Peshëngritjes dhe drejtuesit e Federatës Evropiane të Peshëngritjes i kanë dhënë mbështetjen e tyre kandidaturës së Esat Ademit për kreun e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Në një intervistë për Televizionin Shqiptar, kreu i Peshëngritjes Evropiane (EWF), Antonio Urso ka vlerësuar arritjet dhe sukseset e peshëngritjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Kupa Mesdhetare e Peshëngritjes, e cila u zhvillua në Antalja të Turqisë, u parapri nga Asambleja Vjetore e Konfederatës Mesdhetare të Peshëngritjes. Në këtë Asamble ka marrë pjesë edhe kreu i peshëngritjes evropiane, Dr. Antonio Urso, si dhe sekretari i përgjithshëm i saj, Marino Erkoliani Kasadei. Në një intervistë për Televizionin Shqiptar, Urso ka vlerësuar kandidaturën e Esat Ademit për kreun e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

"Ne si bashkësi ndërkombëtare e peshëngritjes u gëzuam kur mësuam se z. Ademi ka shpallur kandidaturën e tij për presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, - ka deklaruar kreu i peshëngritjes evropiane, Urso. - Kjo për arsyen e thjeshtë se, duke patur parasysh atë që Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka arritur nën drejtimin e tij këto 8 vitet e fundit, ne kemi besim se z. Ademi do të përçojë të njëjtën frymë suksesi edhe në punën e tij me KOKSH-in."

Më tej, presidenti i EWF-së, ka theksuar: "Vetë fakti që peshëngritja është padyshim sporti më cilësor në Shqipëri, përsa i përket arritjeve dhe sukseseve në arenën ndërkombëtare, flet më shumë se gjithçka që ne mund të themi. Organizimi i një niveli të shkëlqyer i një veprimtarie të rëndësishme siç ishte Kampionati Evropian i Peshëngritjes për të Rinj dhe të Reja në Durrës, ishte një tjetër provë e prekshme e bërë nga z. Ademi si president i peshëngritjes shqiptare."

Kreu i peshëngritjes evropiane e ka cilësuar z. Ademin si një njeri me vizion, çka do t'i shërbente edhe më shumë sportit shqiptar. "Në takimin tonë dhe të Sekretarit të Komitetit Olimpik Evropian, me Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Sali Berisha, z. Ademi shpalosi një projekt mjaft ambicioz për ngritjen e një qendre të madhe sportive në zonën e Shkodrës, një qendre të denjë për të përballuar nevojat e të gjithë rajonit të Ballkanit", - tha Urso.

Në përfundim, Urso ka theksuar se në rast të fitores së Ademit, organizmi që ai drejton do të rrisë edhe më tej nivelin e përkrahjes për përkrahjen e sportit shqiptar në tërësi dhe të Peshëngritjes në veçanti. Më tej ditët mesdhetare kanë vazhduar me sesionin shkencor të luftës kundër drogës në sport, ku kanë referuar personalitet e ndryshme të federatës evropiane, botërore dhe konfederatës mesdhetare.

Ndërkaq, megjithëse ka shkuar me një kontingjent sportistësh të rinj në moshë, Shqipëria ka korrur një tjetër sukses ndërkombëtar në peshëngritje, duke u kthyer nga Antalia si nënkampione e Mesdheut. Në këtë veprimtari, vendi ynë ka marrë pjesë me katër sportistë, midis të cilëve ka spikatur Elvis Tabaku, i cili ka thyer gjatë garimit dy rekorde mesdhetare në kategorinë e peshës së tij.

Peshëngritja shqiptare kthehet kështu me një tjetër sukses në veprimtaritë ndërkombëtare, pasi shtanga kuqezi është shpallur nënkampione e Mesdheut, në Kupën e radhës Mesdhetare, që është zhvilluar në Antalia të Turqisë. Në këtë veprimtari të Konferedatës Mesdhetare të Peshëngritjes, president i së cilës është kreu i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, kanë marrë pjesë peshëngritës nga Turqia, Italia, Franca, Spanja, Izraeli, Sllovenia, San Marino, Monako dhe Shqipëria.

Në këtë veprimtari, vendi ynë ka marrë pjesë me katër sportistë, të cilët drejtoheshin nga trajnerët Petrit Hoxha dhe Ali Lundraxhiu. E para është ngjitur në pedanë peshëngritësja Sherjana Ruci dhe vetëm për shkak të peshës trupore, ajo ka humbur vendin e dytë dhe është renditur e treta, duke fituar medalje bronzi. Kështu, pas Bosnjës, ajo arrin të fitojë një tjetër medalje të rëndësishme edhe në Antalia.

Ndërkaq, për meshkuj kanë konkurruar Daniel Godelli, Briken Calja dhe Elvis Tabaku. Figurë më të mirë ka bërë Tabaku, i cili është shpallur fitues i vendit të parë, duke ngritur me shume se gjithe konkurrentët e tij. Por koeficienti i siglaritetit e ka spostuar atë në vendin e dytë, duke e detyruar të kënaqet me medalje argjendi.
Po ai ka thyer gjatë garimit dy rekorde mesdhetare në kategorinë e peshës së tij. Në këto gara, ka gjykuar edhe gjyqtari ynë ndërkombëtar, Përparim Feruni. Përfundimisht, si ekip, Shqipëria është shpallur nënkampione e Mesdheut, ndërsa vendin e parë e ka marrë Turqia. Italia është renditur në vendin e trete.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›