Ursula von der Leyen vizitë në Slloveni: BE do të japë të gjithë mbështetjen e nevojshme financiare

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi këtë të mërkurë Slloveninë pas përmbytjeve katastrofike që i morën jetën disa personave në këtë vend. Von der Leyen zhvilloi një takim edhe me kabinetin qeveritar slloven ku diskutuan për situatën në terren.
Së bashhku me kryeministrin slloven Robert Golob, ajo vizitoi qytetin Črna na Koroškem, që është më i prekuri nga përmbytjet.
Pas vizitës në zonat e përmbytura presidentja e Komisionit Evropian u tha gazetarëve se ishte zemërthyese të shihje ndikimin e shkatërrimit të shkaktuar nga shiu dhe përmbytjet.
Von der Leyen konfirmoi disponueshmërinë e një pakete mbështetje të menjëhershme afatmesme, si dhe një paketë afatgjatë për rindërtimin dhe rimëkëmbjen e Sllovenisë.
Kujtojmë se përmbytjet që goditën vendin anëtar të Bashkimit Europian në fund të javës së kaluar u shpallën fatkeqësia më e rëndë natyrore që nga pavarësia e këtij shteti. Nga përmbytjet u prekën dy të tretat e vendit, shumë humbën shtëpitë e tyre dhe gjashtë persona humbën jetën, ndërsa dëmet paraprake llogariten mbi 500 milionë euro.
Qeveria sllovene ka vendosur të shpallë 14 gushtin, ditë solidariteti ku qytetarët do të jenë psuhim për të ndihmuar në riparimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet.
Gazetar: Artur Mata
/RTSH/