Uruguai-Holandë, sot për finalen sfida e fundit Europë-Amerikë e J.
Holanda mungonte në gjysmëfinalet e një botërori që nga viti 1978, ndërsa Uruguai që nga viti 1970. Pasi kanë thyer më në fund pritjen shumë të gjatë, “Orange” dhe “Celeste” do të përballen sot në Kejp Taun në ndeshjen që do të vendosë se kush do të jetë finalistja e parë e Botërorit Afrikano-Jugor 2010. Skuadra e trajnerit Bert van Marvijk i ka tashmë mundësitë për të barazuar “mrekullinë” holandeze të viteve ’70, atë të dy finaleve në botërorët e 1974-s dhe atë të 1978-s, por që të dyja të humbura kundër të zotëve të shtëpisë, në fillim kundër Gjermanisë dhe më pas kundër Argjentinës. Ky është rasti jo vetëm për ta barazuar, por pse jo për ta bërë edhe më mirë, duke sjellë më në fund në shtëpi të parin titull kampion bote për një shtet, i cili zë një vend fondamental në historinë e futbollit modern.
Atëherë në fushë ishin “monstrat” si Johan Krujf (vetëm në ‘74) dhe Johan Neskens, Rud Krol, Rob Rensenbrink e Xhoni Rep, ndërsa sot yjet janë Uesli Shnajder e Arjen Roben, të dy kandidatë potencialë për “Topin e Artë”, Dirk Kuijt e Mark van Bomel. Atëherë “shtydhësja portokalli”, e drejtuar në fillim nga Rinus Mishels dhe më pas nga Ernst Hapel, çuditi botën me futbollin e saj total. Sot Holanda kandidon për fitimin e trofeut falë pikës së fortë, e cila është fuqia e madhe fizike, që ishte vendimtare në ndeshjen e fituar 2-1 kundër Brazilit në çerekfinale. Uruguai, të cilin do ta kenë përballë, nuk arrinte në gjysmëfinale që prej botërorit të vitit 1970, kur e mbylli edicionin meksikan në vendin e katërt.
Dhe në gjysmëfinalen e Afrikës së Jugut 2010, “Celeste”-t vijnë si një skuadër që ka “mbijetuar” me vështirësi, sikurse e ka përkufizuar vetë trajneri holandez, duke parë atë që ka ndodhur në çerekfinale ndaj Ganës: në minutën e fundit të kohës shtesë, amerikanojugorët në fakt e kanë parë me sy eliminimin, por penalltia e Asamoa Gianit, e cila trondit vetëm traversën, u ka dhënë mundësinë të shkojnë deri te ruleta e gjuajtjes së penalltive. E vendosur më pas nga “cucchiaio” e Sebastian Abreu. Skuadra e trajnerit Oskar Tabarez prezanton në këtë pikë një surprizë të vërtetë të botërorit dhe, duke mos pasur se çfarë të kërkojë më shumë nga turneu, kundër Holandës do të zbresë në fushë më e lirshme se një kundërshtar, që të gjithë e japin favorit.
#