Ushqim në shkollat 9-vjeçare, shqyrtohen tri skemat për ofrimin e paketave ushqimore

Pritet që nga shtatori i këtij viti, shkollat e arsimit 9-vjeçar të ofrojnë ushqim falas, si dhe një program passhkollor për të lehtësuar ata prindër, ritmi i punës të të cilëve nuk përshtatet me oraret shkollore.
Ushqimet e shpejta, të cilat ofrohen në fastfude apo në byrektoret pranë shkollave kanë qenë zgjidhja e deritanishme për pjesën më të madhe të nxënësve, ndërsa për më të vegjlit është aplikuar praktika e marrjes së bukës me vete.
“Bukën me vete më mirë! Të paktën e di që ia kam dhënë dhe çfarë i kam futur vetë, sepse nuk po e marrim vesh se çfarë po vjen në shkollë,” shprehet një prind.
Ministria e Shëndetësisë dhe Arsimit po diskutojnë për mundësinë e ofrimit të ushqimit në shkolla. Deri tani janë shqyrtuar tri skema sesi do të shpërndahen paketat ushqimore në institucionet edukative.
- Skema e parë parashikon ndërtimin e mensave në ato shkolla ku infrastruktura e mundëson;
- Skema e dytë synon vendosjen e makinerive në institucionet arsimore ku ofrohet ushqim për të gjitha kategoritë e fëmijëve, alergjikë ose jo;
- Skema e tretë parashikon furnizimin e shkollave me ushqim nga jashtë.
Gjatë viteve janë marrë masa dhe janë hartuar rregullore të cilat ndalojnë futjen e ushqimeve të pakontrolluara nga jashtë, por gjithmonë janë gjetur hapësira për konsumimin e tyre brenda shkollës.
Iniciativa e fundit e ofrimit të një vakti ushqimor në shkollë pritet të jetë efektive dhe të ndalojë njëherë e mirë ushqimet e dëmshme për fëmijët.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/