E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushqime të athëta për verë të mirë

Andrea Shundi

Çiftimi i ngrënies së ushqimit me pirjen e verës, në themel të suksesit ka drejtpeshimin e përbërësve të tyre, në mënyrë që asnjëra mos të dëmtojë shijen dhe amësimin (aromën) e tjetrës. Ky çiftim nuk është shkencë e mirëfilltë, varet shumë nga shijet dhe dëshirat e njerëzve; por synon bashkërendimin, që lartëson vlerat përkatëse të ushqimit dhe të verës sikurse janë: athëtia, ëmbëlsia, hidhësia e pëlqyer, njelmësia, përqindja e alkoolit.

Rregull i parapëlqyer është që verërat e bardha shkojnë më mire me mishrat e bardhë (peshk, shpend, mish derri dhe lepuri) dhe verërat e kuqe me mish të kuq (gjedhë, të leshta, të dhirta, mish gjahu).

Ushqimet dhe verërat më  të gjithanshme për çiftim janë ato mesatarisht të athëta. Ushqimet e gatuara ose të melmuara me uthull ose lëng limoni, pra që përmbajnë tejet thartorë, e shuajnë ose e ndërrojnë shijen e shumicës së verërave.

Ushqimet e gatuara me domate ose salcë, pra me athëti të lartë, çiftohen mirë me verëra të kuqe që sadopak kanë athëti. Anasjelltas, verëra me shumë athëti pëlqehen kur shoqërohen me ushqime të gatuara në vaj me mbushullim. Verërat me pak athëti, ushqimet me shumë vaj i bëjnë pa shije dhe jo aq tërheqëse në ngrënie.

Ushqimet që shquhen si të njelmëta, priren të çiftohen mirë me verëra të freskëta dhe sadopak të athëta, sikurse për shembull verërat shkumuese, që shoqërohen mirë me havjar (vezë peshku të terura dhe të vajosura e kripura mirë).

Tanini është përbërës në verërat e kuqe sidomos tek Kabërné Sovinjó, Sirah dhe Nebbiolo; ndërsa më pak ndodhet tek Pinó i Zi dhe Gamé. Verës, tanini mund ti japë shije paksa të ashpër por kjo zbutet kur shoqërohet me ushqime që përmbajnë shumë proteina dhe yndyrë sepse tanini ndërvepron me yndyrën dhe arrihet drejtpeshim i spikatur shijesh. Por këto verëra mund të gëzohen edhe pa ngrënie ushqimi. Verërat që shquhen për përmbajtje tanini, zakonisht nuk shkojnë me ushqime të kripura. Për shembull, proshuta a mishi i terur ose arrat-bajamet-lajthitë e kripura, verërat taninore i bëjnë të veçohen prej tyre duke marrë shije paksa të hidhur.

Verërat diçka të ëmbla duket se natyrshëm shoqërohen me ushqime të ëmbla. Kriter kryesor është që vera leverdis të jetë po aq ose më  e ëmbël se ushqimi; po ashtu, verërat e ëmbla leverdis të ftohen kur do të shoqërohen me ëmbëlsira. Verërat mesatarisht të ëmbla, çiftohen mirë me ushqime të kripura dhe/ose me shije therëse (pikante). Ndërsa verërat e ëmbla të mirëfillta dhe me athëti të bollshme, shoqërohen mirë me ushqime të pasura sikurse paté (brume i gatuar a qofte) mëlçie ose peshku ose mishi të majmë.

Ëmbëlsia në verë bashkërendohet me ushqim të pasur sepse athëtia e verës pritet me yndyrën e ushqimit.

Në artikujt e ardhshëm do të paraqiten kritere dhe çiftime të tjera midis verërave dhe ushqimeve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›