E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ushqimet “fluturuan” gjatë nëntorit, perimet të “paprekshme”, por stabilizohet çmimi i vajit

Çmimet e ushqimeve kanë vijuar me trendin rritës edhe gjatë nëntorit. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, ushqimet gjatë muajit që lamë pas janë shtrenjtuar me rreth 7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa goditja më e madhe është vërejtur te nëngrupet e mishit dhe qumështit e vezëve.

Mësohet se këto produkte kanë ndikuar edhe më tepër në shtrenjtimin e çmimeve të shportës.

Mishi, deri më tani një produkt i “paprekshëm” nga konsumatorët, është shtrenjtuar me 8% gjatë nëntorit, kurse vezët dhe qumështi, me 9%.

Ndërkohë, siç vëren vizionplus.tv, ka një stabilizim i çmimit të vajit pas rritjes së fortë pas luftës në Ukrainë për shkak të ndërprerjes së linjave të prodhimit dhe të furnizimit për një peirudhë të shkurtër. Çmimi i vajrave është ulur me 8%.

Problemi kryesor vërehet te perimet, të cilat janë shtrenjtuar me mbi 20% gjatë nëntorit.

Eksportet e larta të këtyre produkteve si edhe efekti stinor kanë bërë që qytetarët të detyrohen të paguajnë më tepër në nëntor.

Interesant është fakti se ndërkohë që çmimet e karburantit kanë qenë thuajse të njëjta, madje herë herë edhe më të larta, INSTAT raporton për ulje me 4% të çmimeve të transportit gjatë nëntorit.

Qeveria rishpërndau rreth 46 miliard lekë nga buxheti 2023 për muajt nëntor dhe dhjetor duke rritur frikën e presioneve të larta ndaj çmimeve, por duket se BSH i doli para kësaj situate duke rritur normën bazë të interesit.

Pas këtij vendimi të BSH-së, çmimet po mbahen nën kontroll, por kredimarrësit në lekë duhet të paguajnë interesa më të larta. /vizionplus.tv

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›