Ushtarakët: Nuk do lejojmë kurrë që PD të marrë SHQUP-in. Sandër Lleshi: Mbeta pa fjalë
Ish- gjenerali Sandër Lleshi, i shkarkuar pak kohë më parë nga detyra, komenton për Shekullin vendimin e qeverisë që Shtëpia Qendrore të Ushtrisë të kalojë në pronësi të Partisë Demokratike.
Ai thotë se ky vendim e lë pa fjalë.
Për vendimin që ju citoni, unë nuk kam dijeni, sepse jam edhe me pushime, por është një lajm që më befason sepse kurrë nuk është diskutuar ndonjë opsion që objekti për të cilin ju flisni, pra Shtëpia Qendrore e Ushtrisë dikur, të ndryshojë destinacionin, për arsyen e thjeshtë se është një objekt me rëndësi shumë të madhe për FA. Është një objekt edhe simbolik, edhe përfaqësues. Lajmi që ky objekt qenka në një rrugë tjetërsimi, më lë pa fjalë, tha Lleshi.
Ndërkohë më të prerë janë përfaqësuesit e Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, të cilët në një letër të botuar nga Dita, thonë se do e mbrojnë me trupat e tyre këtë qendër.
Vendimi i qeverisë Berisha për kalimin e Qendrës Kulturore të Ushtrisë në funksion të PD-së për zyrat, është fyes, i paligjshëm, abuziv, por edhe fashist e antikombëtar.
Ta kenë të qartë Berisha, Imamët e kompani se kjo nuk ka për të ndodhur. Së pari, nuk do e lejojmë ne, mbi 50 mijë ushtarakët aktivë e rezervistë që sot do të vendosim të bëhemi gardh për mbrojtjen e kësaj pasurie simbol të ushtrisë.
Së dyti, kryeministri Edi Rama, që nis punën në shtator, jemi të sigurt se ndër firmat e para do jetë rikthimi i kësaj qendre për ushtarakët, thuhet në letrën e tyre./ep