E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët në revoltë

Problemet në dikasterin e Mbrojtjes nuk kanë nisur me 15 marsin dhe tragjedinë e Gërdecit. Të pakën në 48 çështje Ministria e Mbrojtjes është e paditur në gjykatë. Paditë e mëdha dhe emrat VIP të tyre

TIRANË - Ministria e Mbrojtjes, institucioni më i kritikuar dhe i cilësuar si një nga përgjegjësit kryesorë për ngjarjen e 15 marsit në Gërdec, nuk i kishte aspak mirë punët edhe përpara kësaj date. Kjo vërtetohet nga të dhënat e mbledhura në Gjykatën e Tiranës, ku nga fillimi i këtij viti janë depozituar me dhjetëra padi civile me palë të paditur Ministrinë e Mbrojtjes. Janë kryesisht ushtarakë të rolit të mesëm, të larguar pa motiv nga detyra, apo dhe gjeneralë madhorë që i kërkojnë gjykatës të detyrojë dikasterin e Mbrojtjes që t’iu kthejë të drejtën e garantuar me ligj. Burime pranë Gjykatës së Tiranës bëjnë me dije, se në dëm të Ministrisë së Mbrojtjes gjatë këtyre muajve janë depozituar të paktën 48 kërkesëpadi, nga të cilat pjesa më e madhe u përkasin ushtarakëve të larguar nga puna dhe të nxjerrë në rezervë, sipas tyre pa të drejtë. Në të gjitha kërkesëpaditë ata kërkojnë trajtimin financiar gjatë kohës që kanë qenë të papunë dhe rikthimin menjëherë në detyrë, pasi kontrata e punës është zgjidhur në mënyrë të njëanshme dhe pa shkaqe të arsyeshme nga Ministria e Mbrojtjes dhe strukturat vartëse të saj. Një klimë e tillë vazhdon të mbetet aktuale edhe pas tragjedisë së Gërdecit, e cila u kushtoi vendin e punës një sërë ushtarakësh, duke mos kursyer as gjeneralë madhorë, si shefi i Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha apo vartësit e tij, Gjeneral Shpëtim Spahiu dhe Gjeneral Zija Bahja, si dhe kreun e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Hysni Gjergji. Era e largimeve mori para edhe ushtarakë të rolit të mesëm, si ish-komandanti i Policisë Ushtarake, drejtori i Logjistikës apo dhe zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm, të cilët ende nuk kanë vendosur t’i drejtohen gjykatës.

Kërkesëpaditë

Paditë ndaj Ministrisë së Mbrojtjes kanë thuajse të njëjtën përmbajtje: shfuqizimin e aktit administrativ, trajtimin me pagesë dhe kthimin në punë. Në morinë e padive që janë depozituar në gjykatë nga fillimi i këtij viti, një pjesë e mirë e tyre janë duke pritur vendimin e gjykatës. Dafina Kulla është një oficere e rolit të mesëm, e cila pretendon se është larguar padrejtësisht nga Komanda e Forcës së Bashkuar, ku punonte prej disa vitesh. Në kërkesëpadinë e dorëzuar në gjykatë, Kulla kërkon nga Ministria e Mbrojtjes që t’i paguajë pagën e 3 muajve, për shkak të mosrespektimit të afatit të njoftimit për largim të menjëhershëm nga puna, pagesën e shpërblimit për vjetërsi në punë, si dhe detyrimin e palës së paditur për rikthimin në punë. Ajet Mandri është një tjetër ushtarak që ka paditur Ministrinë e Mbrojtjes, me pretendimin se është nxjerrë në rezervë me pa të drejtë, për të cilin kërkon shfuqizimin e urdhrit të ministrit të Mbrojtjes dhe marrjen e diferencës së pagës. Një kërkesëpadi e ngjashme është depozituar në gjykatë edhe nga Pandeli Sevo, i cili kërkon shfuqizimin e aktit administrativ për nxjerrjen në rezervë dhe pagesën për kohën e qëndrimit pa punë. Ndër emrat e paditësve nuk mungojnë as Gjeneralë Madhorë, si ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Sheme Kosova, apo ushtarakë të tjerë të cilët nuk janë shpërblyer për kontributin e dhënë për Forcat e Armatosura.

Ka edhe kështu...

Juristët e Ministrisë së Mbrojtjes nga 30 marsi i këtij viti duhet të përballen me një kërkesëpadi masive të depozituar në gjykatë nga 20 nënoficerë, të cilët kanë shërbyer si forca paqeruajtëse në Afganistan. Sipas kërkesëpadisë, atyre nuk iu është paguar vështirësia për qëndrimin në Afganistan, duke mos zbatuar vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 116, datë 22 shkurt 2006, i cili parashikon se “ushtarakët shqiptarë në përbërje të shtabit të SEEBRIG-ut, në misionin e mbështetjes së paqes (ISAF) në Afganistan, të drejtuar nga NATO-ja, për ditët e qëndrimit me mision në Afganistan përveç pagës, të marrin për vështirësi shërbimi një shpërblim ditor në masën 60 dollarë”. Por 20 nënoficerët pretendojnë se këtë shpërblim, megjithëse është i parashikuar nga një vendim i Këshillit të Ministrave, nuk e kanë marrë ende. Për këtë arsye ata kanë vendosur t’i drejtohen gjykatës, e cila sipas kërkesëpadisë duhet të detyrojë Ministrinë e Mbrojtjes t’u japë këtë pagesë.

Post-Gërdeci

Pas ngjarjes së Gërdecit, ministri i Mbrojtjes nisi reformën në radhët e ushtarakëve. Megjithëse numri i të shkarkuarve është i konsiderueshëm, të paktë kanë qenë ushtarakët që i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës për të vënë të drejtën në vend. Gjeneralët Shpëtim Spahiu dhe Zija Bahja janë dy ushtarakët madhorë që kanë paditur Presidentin e Republikës, i cili dekretoi edhe shkarkimin e tyre. Por me urdhër dhe propozim të ministrit u shkarkuan dhe një sërë ushtarakësh të tjerë, si kolonel Kadri Sula, tashmë i arrestuar për “korrupsion pasiv”; Idrin Nikolla, ish-komandant i Policisë Ushtarake; Dashnor Çaushaj, ish-drejtori i Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm; Hysni Gjergji, ish-kreu i Shërbimit Informativ të Ushtrisë dhe disa vartës së tij, si dhe shefi Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Luan Hoxha, i cili u shkarkua pak ditë më parë. Por në morinë e shkarkimeve post-Gërdec, të paktë kanë qenë ushtarakët që i janë drejtuar gjykatës për të kërkuar të drejtën e tyre.

Mbrojtja, probleme edhe me privatët

Ministria e Mbrojtjes nuk ka probleme vetëm me ushtarakët, apo ish-ushtarakët që pretendojnë se nuk po trajtohen siç e meritojnë, por edhe me firma private. Nga 48 paditë e regjistruara në gjykatë, rreth 10 p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›