Të rikthehet dënimi me vdekje

“Nuk përmendet litari në shtëpinë e të varurit”, thotë një fjalë e urtë popullore. Por kur “litarin”, ndëshkimin me vdekje, ua përmend vetë ish-të dënuarve me vdekje, të cilëve iu është falur jeta, përgjigjja është befasuese. Tetë nga dhjetë ish-të dënuarit me vdekje, të cilët vuajnë dënimet përkatëse në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, janë pro rikthimit apo dhe aplikimit të dënimit me vdekje. Arsyeja e tyre se përse duhet të rikthehet dënimi me vdekje në më të shumtën e rasteve është sërish befasuese. Nuk është vrasja e ndërgjegjes, ashtu siç mund të pritet, por “lodhja” duke vuajtur dënimet nga 20 vjet heqje lirie, deri në burgime të përjetshme.
“Më mirë të ekzekutohesh, sesa të rrish gjithë jetën në burg”, - thotë Bledar Boraj, njëri prej të dënuarve që i është falur jeta pas nënshkrimit të protokollit nr. 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. “Për disa është më mirë ekzekutimi, sesa kjo vdekja e avashtë me të cilën jemi të dënuar tani”, - deklaroi disa ditë më parë për gazetën “Korrieri’ Boraj, i cili është i dënuar për vjedhje me armë me pasojë vdekjen e disa punonjësve të policisë gjatë trazirave të vitit 1997.
I të njëjtit mendim është dhe ish-mësuesi Laver Goga, i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e nuses 17-vjeçare të djalit të tij. “Do të kishte qenë më e udhës të kthehej dënimi me vdekje”, - pohon pikërisht njëri prej burrave që sot janë në jetë falë nënshkrimit në vitin 1995 të moratoriumit për pezullimin e dënimit me vdekje, pasi ishte dënuar dy herë me pushkatim nga drejtësia për vrasjen barbare të së resë, krim i ndodhur në fillim të majit të vitit 1993. Laver Goga është padyshim njëri nga personat që i ka qenë më afër ekzekutimit me vdekje. Pas dënimit të parë me pushkatim të dhënë në vitin 1993, ai u ridënua po me pushkatim për së dyti edhe në vitin 1994, dhe ka pritur “një plumb pas koke me sot, me nesër”, - siç pohon ai vetë për gazetën “Korrieri”. Megjithëse e ka kaluar vetë në kurriz se çfarë do të thotë të jesh i dënuar me vdekje, pasi për gati 8 muaj e gjysmë ai ka pritur i lidhur kokë e këmbë me zinxhirë në qelitë e paraburgimit të Komisariatit të Fierit, që të shkonin ta merrnin për ta ekzekutuar. Pikërisht nga ky komisariat, vetëm 2 vjet para se Goga të priste vdekjen, kishin dalë me këmbët e tyre për të përfunduar në litar vëllezërit Ditëbardh dhe Josif Çuko. Sipas Gogës, më mirë një plumb në kokë, sesa vdekja e ngadaltë me të cilën janë dënuar aktualisht dhe që ka bërë që pjesa më e madhe e tyre të humbasë gjithçka kanë lënë jashtë dyerve të burgut, që nga pasuria, miqtë e familja. Kur i pyet nëse janë pro apo kundër aplikimit të dënimit me vdekje në vendin tonë, përgjigje pozitive japin edhe dënuarit Selami Shparthi, Mustafa Shehu, Dashamir Ismaili, Shkëlzen Taka, Kadri Kullolli, i cili pas 10 vitesh burg pohon se më mirë ta kishin pushkatuar 10 vjet më parë, kur u dënua me vdekje, sesa të vazhdonte të jetonte, ashtu siç është i detyruar tani. ar.ba
Nuk ia urojnë askujt dënimin me vdekje
Ndërsa të vetmit nga ish-të dënuarit me pushkatim që vuajnë burgime të rënda në burgun e Peqinit, të cilët janë disi kundra kthimit apo aplikimit të dënimit me vdekje, janë Aleksandër Xhelaj dhe Aristir Shano. Të dy pohojnë pothuajse të njëjtën gjë, se dënimi me vdekje mund të jetë një formë presioni karshi botës së krimit, por që nuk e ul atë. “Nuk pi ujë dënimi me vdekje”, - thotë Aleksandër Xhelaj, i dënuar me pushkatim në mungesë, - Këtu, në vendin tonë duhet të vihen në funksionim masa më të mëdha për parandalimin e krimeve të rënda”, përfundon ai.