Ushtria "zbraz" ç'di për Gërdecin

Rrefehen ne prokurori krere te Ushtrise. Sipas kreut të Komandës së Forcës së Bashkuar, Gjeneral Major Shpëtim Spahiut, Albademil nuk lejonte praninë e forcave të Komandës, pasi kishin marrë roje private. Nuk lejohej as kontrolli. Per kete eshte informuar ministri. Dëshmon dhe drejtori i Logjistikës, Dashnor Çaushi
TIRANË - Komandanti i Forcës së Bashkuar dhe drejtori i Logjistikës janë dy zyrtarët e lartë ushtarakë, që ditën e djeshme për më shumë se gjashtë orë iu përgjigjën të gjitha pyetjeve të grupit hetimor. Shpëtim Spahiu, komandanti i operacionit të kërkim-shpëtimit “Gërdeci ‘08”, la dje drejtimin e punës në terren, për të dhënë deklarimet e tij në prokurori, në përputhje “me detyrimin ligjor dhe atë moral”, siç u shpreh ai vetë, dhe rreth orës 18.30 të ditës së djeshme për “Korrierin”, menjëherë sapo kaloi portën e Prokurorisë së Tiranës. Për më shumë se 6 orë, Gjeneral Major Shpëtim Spahiu ballafaqoi detyrat dhe pozicionin e tij me dokumentet zyrtare dhe hapat e ndjekura nga Komanda e Forcës së Bashkuar për procesin e demontimit të predhave në kuadër të masterplanit të qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe, në veçanti, për procesin e zhvilluar në fabrikën e Gërdecit. Por Spahiu nuk ishte i vetëm në përballjen me grupin e hetimit. Rreth orës 9.45 të paradites së djeshme, portën hyrëse të prokurorisë e kaloi edhe drejtori i Logjistikës në Ministrinë e Mbrojtjes. Dashnor Çaushi, duke ndjekur ritualin e javës së fundit, edhe ditën e djeshme ai është paraqitur në prokurori, por i shoqëruar nga dy persona të tjerë që mbanin me vete dhe një sasi të konsiderueshme dokumentacioni, që sipas prokurorisë, u përdor për të ballafaquar në një farë mënyre detyrimin ligjor dhe punën reale të Drejtorisë së Logjistikës.
Gjeneral Spahiu
Komandanti i Forcës së Bashkuar për më shumë se 6 orë “ka shuar kuriozitetin” e hetuesve për një sërë çështjesh që lidhen me pozicionin e kësaj strukture në tragjedinë e Gërdecit. Pasi mbërriti në prokurori rreth orës 12.50, Gjeneral Major Shpëtim Spahiu hyri në zyrën e zëvendësprokurorit Genci Qano, i cili udhëheq punën e grupit hetimor. Ndryshe nga hera e kaluar, kur Spahiu u mbajt vetëm gjysmë ore, ditën e djeshme prokurorët sqaruan me detaje çdo moment të paqartë lidhur me rolin e Forcës së Bashkuar. Në bazë të dokumentacionit të sekuestruar, prokurorët kërkuan shpjegime veç të tjerash, edhe mbi ruajtjen e fabrikës së Gërdecit nga Komanda e Forcës së Bashkuar, ashtu siç ishte përcaktuar edhe në kontratën mes ndërmarrjes shtetërore “Meico” që ka varësi direkte nga Ministria e Mbrojtjes dhe firmës amerikane “Southern Ammunition Company Inc”. Siç shpjegojnë burimet e gazetës, kjo ka qenë dhe “çështja e preferuar” e gjeneral Spahiut, pasi për kontrollin në fabrikën e Gërdecit ai ka vënë në dijeni Shtabin e Përgjithshëm dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Mediun, se firma “Albademil” nuk lejon praninë e forcave të kësaj komande në ambientet e kësaj fabrike, pasi një proces i tillë kryhet nga rojat private të sigurisë. I pyetur nga “Korrieri” për një fakt të tillë, Gjeneral Major Shpëtim Spahiu mbajti qëndrim neutral, pa dashur ta komentojë një gjë të tillë, duke mos dhënë asnjë pohim dhe asnjë mohim.
Drejtori i Logjistikës
Dita e djeshme ishte e ndryshme nga ditët rutinë të deklarimeve edhe për drejtorin e Logjistikës në Ministrinë e Mbrojtjes, Dashnor Çaushin. Kolonel Çaushi veç shpjegimeve verbale të dhëna për një javë rresht, ditën e djeshme është përballur me pozicionin e drejtorisë së tij brenda kuadrit ligjor. Burime konfidenciale shpjeguan se për afro 8 orë, kolonel Çaushi ka shpjeguar një për një të gjitha praktikat e kryera nga drejtoria e tij për nxjerrjen dhe transportimin e municioneve drejt fabrikës së Gërdecit. Edhe pse të rezervuara në informacion, burime nga prokuroria thanë se Çaushi u është referuar praktikave ligjore, duke vënë në dispozicion dokumente që tregojnë se urdhrat e lëshuara prej tij janë në vazhdën e atyre të lëshuar nga eprorët për transportin e municioneve, të cilat ishin planifikuar për t’u shkatërruar. Më pas, kolonel Dashnor Çaushi ka dhënë detaje mbi sasinë e municionit të dërguar në Gërdec, mënyrën e transportit, paratë e shpenzuara dhe një sërë detajesh të tjera teknike për të cilat përgjigjet Drejtoria e Logjistikës.
Kryeprokurori Xholi, ish-jurist i “Meico”-s
Ajo që flitej nën zë, u zyrtarizua dje nga drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Genti Xholi, i cili dje pranoi faktin se për dy vite ka punuar si jurist në firmën “Meico”. Bëhet fjalë për periudhën nga muaji maj i vitit 1997 deri në muajin maj të vitit 1999, kohë gjatë së cilës prokurori që po udhëheq grupin hetimor për ngjarjen e Gërdecit, ka qenë jurist i firmës së import-eksportit. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe, kjo ndërmarrje është drejtuar nga dy drejtorë të tjerë, Bardhyl Rrapi dhe Pirro Ymeri dhe jo nga Ylli Pinari, i cili është një nga personat nën hetim për tragjedinë e 10 ditëve të shkuara. Sipas tij, fakti që ka punuar si jurist i “Meico-s” në ato vite, nuk përbën kundërshtim me ligjin për sa u përket hetimeve të ngjarjes së Gërdecit. “Do të vazhdoj me vendosmëri hetimet deri në zbardhjen e plotë të çështjes”, - deklaroi prokurori i Tiranës, Gent Xholi.