E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lap topi i amerikanëve

Reagimi i ashpër i Shtabit të Përgjithshëm. Specialistët tonë nuk janë prononcuar për paraqitjen filmike të bërë nga përfaqësues të kompanisë SAC, me një laptop në paradhomën e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes.

TIRANË  - Ajo çka 10 ditë më parë u kthye në tragjedinë e Gërdecit, zyrtarisht zuri fill shumë muaj më parë në paradhomën e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, ku në një kompjuter portabël, tip laptop, u dhanë pamjet filmike të firmës amerikane “Southern Ammunition Company Inc” dhe gjithçka nga teknologjia dhe eksperienca që ajo ofronte për çmontimin e fishekëve. Të paktën kështu zbulohet në një njoftim për shtyp të dalë dje nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, i cili pasi nis me fillin, tregon dhe “gurin” e rrokullisjes. “Përse ai (Mediu) miratoi Gërdecin pa mendimin e shprehur me shkrim nga SHP dhe pa kundërfirmat përkatëse në dokument? Ky është dhe guri i themelit të kësaj fatkeqësie, gur që rrokullisjen e tij e filloi, kur nga zyra e ministrit të Mbrojtjes iu dha përgjigje pozitive projektit të kompanisë “SAC” , - thuhet në po të njëjtën deklaratë, që u përgjigjet të gjitha përgjegjësive që vetëm një ditë më parë iu ngarkuan Shtabit të Përgjithshëm në një tjetër prononcim zyrtar, veçse dje i dhënë në emër të ish-ministrit të Mbrojtjes nga këshilltarja e tij politike, Enkelejda Malaj.  

Në reagimin e djeshëm për shtyp, Shtabi i Përgjithshëm ka theksuar se nuk ka qenë pjesë e vendimmarrjes për vendimin se ku do të krijohej fabrika për çmontimin e municioneve. Ndër pikat kyçe të sqarimit të opinionit publik të këtij shtabi ka qenë edhe reagimi në lidhje me paraqitjen filmike të bërë nga përfaqësues të kompanisë “SAC”, me një laptop në paradhomën e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes. “Dëshirojmë të informojmë opinionin publik, se specialistët e shtabit nuk janë prononcuar për paraqitjen filmike të bërë nga përfaqësues të kompanisë “SAC” me një laptop në paradhomën e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe nuk ka informacion për faktin se cili institucion e me cilin tagër, i ka vlerësuar këto materiale në emër të palës shqiptare. Në qoftë se ministri ka autorizuar një strukturë ose një person për ta bërë këtë, kjo nuk është përgjegjësi e Shtabit të Përgjithshëm”, - thuhet në njoftimin për shtyp. Ndërkohë që sqarim është dhënë edhe për pozicionin e Shtabit të Përgjithshëm në lidhje me idenë për ngritjen e qendrës së çmontimit në Bërzhitë. Duke kundërshtuar ngritjen e një qendre të tillë në Bërzhitë, shtabi deklaron se “qendra për demilitarizimin e këtyre municioneve duhet të përzgjidhet nëpërmjet negociatave midis palëve, pasi rajoni i Bërzhitës nuk është i përshtatshëm dhe as i licencuar si për depozitim, ashtu edhe për asgjësim municioni. Ky rajon ndodhet pranë rrugës nacionale Tiranë-Elbasan dhe nuk merret përsipër sigurimi i energjisë... Për municionet me moshë mbi 25-30-vjeçare që kalojnë në proces demontimi, në praktikën tonë baruti i tyre i nënshtrohet asgjësimit me djegie në natyrë”. Ky pozicionim tregon se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka qenë palë në tratativat për realizimin e këtij projekti, madje ai është anashkaluar me paramendim, pasi ka refuzuar implementimin e tij në rastin e Bërzhitës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›