V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.161, DATË 11.4.1994, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STATUTIT TË INSTITUTIT TË SIGURIMEVE SHOQËRORE”
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.161, DATË 11.4.1994, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STATUTIT TË INSTITUTIT TË SIGURIMEVE SHOQËRORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 78, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në statutin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.161, datë 11.4.1994, të Këshillit të Ministrave, të bëhen këto ndryshime:
1. Në kreun I, “Krijimi dhe vendi”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Neni 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 1
Instituti i Sigurimeve Shoqërore është institucion publik, i pavarur. Organizimi dhe funksionimi i këtij instituti, që më poshtë do të quhet ISSH, rregullohen me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.”.
b) Neni 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 2
ISSH-ja është person juridik, shqiptar, me qendër në Tiranë dhe përbëhet nga drejtoria qendrore, drejtoritë rajonale dhe agjencitë lokale të sigurimeve shoqërore, që veprojnë në të gjithë vendin.”.
2. Në kreun II, “Fondet themelore, burimet e formimit dhe përdorimi i tyre”, bëhen këto ndryshime:
a) Neni 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 4
Fondi i ISSH-së administrohet në pesë degë të veçanta:
- Dega e sigurimit për sëmundje;
- Dega e sigurimit për barrëlindje;
- Dega e sigurimit për pensione;
- Dega e sigurimit për aksidente në punë dhe sëmundje profesionale;
- Dega e sigurimit të papunësisë.
Llogaria e sigurimeve shoqërore mbahet në Bankën e Shqipërisë, ndërsa llogaria e shpenzimeve administrative mbahet në llogari të veçantë.
Transferimet për pagesën e kontributeve e të shpenzimeve administrative lejohen vetëm me ligjin e buxhetit.”.
b) Në fund të nenit 5 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“ISSH-ja krijon një fond rezervë, të barabartë me shumën e pagesave, që nevojiten për të përballuar, të paktën 3 muaj, shpenzimet për pensione.
Fondi rezervë mbahet në një llogari të veçantë.”.
3. Në kreun III, “Veprimtaria e Institutit të Sigurimeve Shoqërore”, bëhen këto ndryshime:
a) Neni 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 6
Veprimtaria e Institutit të Sigurimeve Shoqërore përfshin:
i) arkëtimin e detyrimeve, që rrjedhin nga derdhja e kontributit të punëmarrësve, punëdhënësve dhe të të vetëpunësuarve;
ii) pagimin e përfitimeve të sigurimeve, sipas dispozitave ligjore;
iii) investimin e fondit rezervë, me qëllim rritjen e tij.”.
b) Neni 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 7
Instituti i Sigurimeve Shoqërore, nëpërmjet drejtorive rajonale dhe agjencive lokale, kryen veprime për sigurimin shoqëror.
Drejtoritë rajonale caktojnë pensionet, në bazë të dokumenteve të paraqitura nga personat e interesuar.
Përfitimet afatshkurtra për të punësuarit caktohen dhe paguhen nga punëdhënësit e tyre dhe, pas miratimit, rimbursohen nga drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore dhe agjencitë e sigurimeve shoqërore.
Përfitimet afatshkurtra për të vetëpunësuarit dhe pensionet e të gjitha llojeve paguhen nga agjencitë paguese financiare, të specializuara, për llogari të fondeve të sigurimeve shoqërore, sipas marrëveshjeve, që lidhen, ku përckatohet edhe masa e komisionit.”.
4. Në kreun IV, “Kontabiliteti dhe bilanci i ISSH-së”, bëhen këto ndryshime:
a) Neni 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 10
ISSH-ja mban regjistrat dhe librat, në përputhje me ligjin për kontabilitetin, manualin kontabël, miratuar nga Ministria e Financave, si dhe rregulloren financiare, miratuar nga këshilli administrativ.”.
b) Neni 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 11
ISSH-ja përgatit raportin dhe llogaritë financiare në fund të çdo viti financiar, si dhe harton projektbuxhetin e vitit ushtrimor. Ato përfshijnë bilancin, llogaritë e të ardhurave e të shpenzimeve dhe evidencat e tjera përkatëse. Raporti vjetor dhe programi i veprimtarisë së ardhshme financiare miratohen nga këshilli administrativ i ISSH-së dhe i paraqiten, çdo vit, nëpërmjet ministrit të Financave, Këshillit të Ministrave.”.
c) Neni 12 ndryshohet si më poshtë vijon:
“Neni 12
1. Këshilli administrativ, pas miratimit të buxhetit, miraton ndarjen e buxhetit, sipas drejtorive rajonale.
2. Në përbërje të ISSH-së ngrihet njësia e auditimit të brendshëm, e cila auditon veprimtarinë e strukturave të saj jo më pak se një herë në dy vjet. Drejtuesi i njësisë së auditimit të brendshëm emërohet/shkarkohet me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm dhe me miratimin e këshillit administrativ. Drejtuesi i njësisë raporton periodikisht dhe sipas kërkesave të këshillit.”.
5. Nenet 13, 21, 24, paragrafi i fundit, 25 e 26, të kreut V, shfuqizohen.
6. Neni 28, i kreut, “Dispozita të përgjithshme”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 28
ISSH-ja ka të drejtë të bashkëpunojë dhe të lidhë marrëveshje a të kryejë veprimtari të përbashkëta me institucione homologe, vendase ose të huaja, në fushën e sigurimeve shoqërore. Marrëveshjet me karakter ekonomik, para nënshkrimit nga drejtori i Përgjithshëm, si përfaqësues i ISSH-së, i paraqiten, paraprakisht, këshillit administrativ, për miratim.
Drejtori i Përgjithshëm ka të drejtë të bashkëpunojë dhe të lidhë marrëveshje a të kryejë veprimtari të përbashkëta me institucione homologe, vendase ose të huaja, në fushën e sigurimeve shoqërore, vetëm pas miratimit të këshillit administrativ.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA