E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR HAPJEN E PROGRAMEVE TË STUDIMIT, TË CIKLIT TË PARË NË SHKOLLËN E LARTË UNIVERSITARE PRIVATE, “UNIVERSITETI “MARIN BARLETI””

V E N D I M  PËR  HAPJEN E PROGRAMEVE TË STUDIMIT, TË CIKLIT TË PARË NË SHKOLLËN E LARTË UNIVERSITARE PRIVATE, “UNIVERSITETI “MARIN BARLETI””

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të  nenit 44,  të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

                                                      

1.     Lejimin e shkollës së lartë universitare private, “Universiteti “Marin Barleti””, me seli në Tiranë, të hapë programet e studimeve “Master i nivelit të parë” (MNP) në fushat:

a)     Shkenca politike, me profil:

i.      Lidership;

ii.     Administrim publik.

b)     Komunikim, me profil:

i.      Gazetari ekonomike;

ii.     Komunikim publik.

c)     Administrim biznesi, me profil:

i.      Financë-kontabilitet;

ii.     Marketing dhe menaxhim operacionesh;

iii.    Shërbime bankare dhe financiare;

iv.    Prona të paluajtshme dhe sigurimi;

v.     Lidership dhe menaxhim burimesh njerëzore.

ç)  Shkenca juridike, me profil:

    i. E drejtë publike;

  ii. E drejtë e biznesit.

2.     Programet e studimeve, “Master i nivelit të parë”, synojnë arsimin dhe trajnim të mëtejshëm profesional. Këto programe studimi do të realizohen me, së paku, 60 kredite e me kohëzgjatje normale 1 vit. Në përfundim të këtyre studimeve lëshohet diploma “Master i niveli të parë” (MNP), në fushat e arsimimit dhe trajnimit të kryer.

3.     Ngarkohet shkolla e lartë universitare private, “Universiteti “Marin Barleti””, që, për çdo program studimi, nëpërmjet marrëdhënieve kontraktuale, të sigurojë zhvillimin e disa prej disiplinave kryesore formuese të specialitetit, nga një personel akademik me kualifikimin e nevojshëm dhe sipas specialitetit.

4.     Shkolla e lartë universitare private, “Universiteti “Marin Barleti””,  do ta fillojë veprimtarinë mësimore për programet e studimit, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, pasi të ketë marrë, jo më vonë se dy javë para fillimit të veprimtarisë mësimore, lejen përkatëse nga ministri і Arsimit dhe Shkencës.

Ministri e lëshon lejen pasi vlerëson se institucioni mësimor ka përmbushur angazhimet e deklaruara, në përputhje me udhëzimin e tij për këtë qëllim.

5.     Ndryshimet në vendndodhje, forma studimi, plane dhe programe, si dhe në elemente të tjera, të miratuara, bëhen pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

6.     Shkolla e lartë universitare private, “Universiteti “Marin Barleti””,  duhet t’i nënshtrohet procesit të akreditimit institucional dhe të programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi.

7.     Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion dhe për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA


27/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›