V E N D I M PËR HAPJEN E PROGRAMIT TË STUDIMIT, “MASTER I NIVELIT TË PAR˔, PËR PËRCAKTIMIN E KUOTAVE TË PRANIMIT E TË TARIFËS SË SHKOLLIMIT NË KËTË PROGRAM STUDIMI, NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI”, KORÇË, NË VITIN AKADEMIK 2008-2009
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26, 34, pika 4, 42 e 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen në universitetin “Fan S. Noli”, Korçë, në Fakultetin e Bujqësisë, të programit të studimit “Master i nivelit të parë”, në zhvillimin e integruar rural, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë” (MNP), në profilin “Zhvillim i integruar rural”.
2. Programi i këtij studimi realizohet me 60 kredite dhe zgjatja normale e tij është një vit.
3. Kuota e pranimeve në programet e studimit “Master i nivelit të parë”, në zhvillimin e integruar rural, me kohë të plotë, në universitetin “Fan S. Noli”, Korçë, për vitin akademik 2008-2009, të jetë 40.
4. Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, shpërndan kuotat e vëna në dispozicion të tij, në masën jo më pak se 30%, për studentët, që kanë përfunduar, të paktën, ciklin e parë të studimeve në institucionet e tjera të arsimit të lartë, dhe jo më shumë se 70%, për ata që i kanë përfunduar këto studime pranë tij. Në rastet kur nuk ka kandidatë nga institucionet e tjera të arsimit të lartë, që plotësojnë kriteret, atëherë universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, ka të drejtë ta plotësojë kuotën e vënë në dispozicion me studentët, që janë diplomuar në të.
5. Kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, të përcaktuara nga njësitë kryesore të universitetit “Fan S. Noli”, Korçë, bëhen publike paraprakisht.
6. Tarifa vjetore e shkollimit për studentët, që do të regjistrohen me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, në programin e studimit “Master i nivelit të parë”, në zhvillimin e integruar rural, do të jetë 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë.
7. Kandidatët, që u përkasin shtresave sociale, si: të verbër, të shurdhër, invalidë paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentë me aftësi të kufizuar, fëmijë romë apo fëmijë të policëve të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës, ish-të përndjekur, që do të fitojnë të drejtën të ndjekin këtë program studimi, do të paguajnë 50 për qind të tarifës së shkollimit.
8. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi.
9. Në çdo program studimi “Master i nivelit të parë”, me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, studentët e shkëlqyer nga cikli i parë, nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin akademik pasardhës.
10. Kuotat e pranimeve në programet e studimit “Master i nivelit të parë”, sipas pikës 3, të këtij vendimi, që mbeten të parealizuara, rishpërndahen sipas institucioneve publike të arsimit të lartë dhe programeve të ndryshme të studimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
11. Ky program studimi do të fillojë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2008-2009.
12. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2009, miratuar për universitetin “Fan S. Noli”, Korçë.
13. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
27/01/2009