E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR PËRBALLIMIN E SHPENZIMEVE TË ATASHEVE USHTARAKE, TË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA, QË SHËRBEJNË NË SHTABET E NATO-S E NË PËRFAQËSITË USHTARAKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PRANË NATO-S, DHE TË USHTARAKËVE SHQIPTARË, QË SHËRBEJNË

V E N D I M 

PËR 

PËRBALLIMIN E SHPENZIMEVE TË ATASHEVE USHTARAKE, TË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA, QË SHËRBEJNË NË SHTABET E NATO-S E NË PËRFAQËSITË USHTARAKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PRANË NATO-S, DHE TË USHTARAKËVE SHQIPTARË, QË SHËRBEJNË PRANË ORGANIZATAVE NDËRKOMBËTARE DHE NË SHTABET USHTARAKE NDËRKOMBËTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 14, të ligjit nr.8671, datë 26.10.2000, “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes,  Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1.      Ministria e Mbrojtjes, brenda fondeve buxhetore vjetore, të përballojë shpenzimet e atasheve ushtarake, të akredituara në vende të tjera, të ushtarakëve, që shërbejnë në përfaqësinë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, që shërbejnë në shtabet e NATO-s, dhe të ushtarakëve shqiptarë, që shërbejnë pranë organizatave ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare, për:

a)         shpenzimet publicitare, në interes të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë;

b)         shpenzimet për udhëtime dhe dieta jashtë vendit pritës, kur këto kryhen në interes të Ministrisë së Mbrojtjes;

c)          shpenzimet për pritje të partnerëve zyrtarë, në vendin pritës;

ç)  shpenzimet për ceremoni zyrtare, të karakterit ushtarak, në vendin pritës;

d)         shpenzimet për pritje të personelit ushtarak, të nivelit të lartë;

dh)     shpenzimet për udhëtime dhe dieta, brenda vendit pritës;

e)         shpenzimet për mbështetjen e veprimtarive, veçanërisht të rëndësishme, të studentëve ushtarakë shqiptarë, në vendet përkatëse.

ë)    shpenzimet për uniformën;

f)          shpenzimet për qira apartamenti dhe mirëmbajtje;

g)         shpenzimet për energji elektrike, ujë, gaz, telefon fiks;

gj)  shpenzimet për pajisje shtëpiake;

h)         shpenzimet për blerje automjeti, siguracion, mirëmbajtje;

i)           shpenzimet për karburant;

j)           shpenzimet për siguracion shëndetësor familjar;

k)          shpenzimet për taksa të shkollave publike, komisione bankare.

Kriteret, specifikimet dhe rastet e përballimit të shpenzimeve, të përcaktuara në shkronjat “e”, “g”, “gj” dhe “h”, të kësaj pike, përcaktohen me urdhër të ministrit të Mbrojtjes.

2.      Kur ushtaraku dërgohet me shërbim jashtë venddislokimit të komandës ose kur vjen në atdhe, por në shtetin ku kryen detyrën ka lënë bashkëshorten dhe fëmijët, ka të drejtë të marrë 100 për qind të trajtimit financiar, që është për përkujdesje ndaj familjes.

3.      Kur ushtaraku shtrohet për kurim në institucionet shëndetësore të shtetit, ku ndodhet komanda apo shtabi і NATO-s, ose në ndonjë shtet tjetër, ai vazhdon të përfitojë pagën përkatëse dhe trajtimin financiar, që është për përkujdesje ndaj familjes.

4.      Ushtaraku gëzon të drejtën e pushimeve javore, pushimeve në ditët e festave zyrtare dhe pushimin vjetor të paguar, për kohën që është me detyrë jashtë shtetit, sipas dispozitave ligjore në fuqi, në Republikën e Shqipërisë. Ministria e Mbrojtjes nuk merr përsipër shpenzimet për ushtarakun, kur ai kthehet në atdhe, për të bërë lejen e zakonshme. Me miratimin e ministrit të Mbrojtjes, për raste të veçanta, (vetëm për fatkeqësi) për ushtarakun dhe familjarët shoqërues paguhen nga shteti vetëm shpenzimet e udhëtimit (për ardhje në atdhe dhe kthimin në vendin e huaj).

5.      Ministria e Mbrojtjes për këta ushtarakë dhe pjesëtarët e familjes, që janë në ngarkim të tij, bën sigurimet e detyrueshme, sipas legjislacionit të shtetit përkatës, ku ata kryejnë detyrën. Ushtaraku aktiv dhe pjesëtarët e familjes, në ngarkim të tij, kanë të drejtë që, për raste urgjencash, të mjekohen në vendin, ku ushtaraku kryen detyrën, me miratimin e eprorit direkt dhe sipas rregullave të shtabit, ku ai bën pjesë, kur për një gjë të tillë nuk është parashikuar sigurimi shëndetësor. Në këtë rast, shpenzimet përballohen nga shteti, ndërsa për rastet e tjera, shpenzimet përballohen nga vetë ushtaraku.

6.      Ushtaraku ka të drejtë të marrë shpenzime udhëtimi, akomodimi dhe diete, në valutë të huaj, sipas legjislacionit në fuqi, kur nga drejtuesi emërohet në detyrë, thirret në atdhe ose dërgohet me shërbim në një shtet tjetër, kthehet në atdhe në përfundim të misionit, si dhe dërgohet me shërbim, për nevoja pune, nga autoritetet drejtuese të NATO-s.

Për rastet e parashikuara në këtë pikë, personeli, që mban gradë madhore, merr dietë të kategorisë së parë, personeli, që mban grada të larta, merr dietë të kategorisë së dytë dhe personeli, që mban grada të ulëta, si dhe personeli nënoficer e ushtar, marrin dietën e kategorisë së tretë. Kur ushtaraku shoqërohet nga bashkëshortja, kjo e fundit trajtohet me të njëjtën dietë si bashkëshorti.

7.      Vendimi nr.115, datë 13.3.2003, i Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e shpenzimeve të atasheve ushtarake dhe oficerëve të Forcave të Armatosura, që shërbejnë në shtabet e NATO-s”, të ndryshuar, shfuqizohet.

8.      Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

9.      Efektet financiare të përballohen nga buxheti і Ministrisë së Mbrojtjes.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›