Kryeministri Berisha: Lufta kundër korrupsionit do të konsolidohet më tej
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha tha se lufta e qeverisë shqiptare kundër korrupsionit ka marrë vlerësime të mëdha nga Bashkimi Europian dhe se kjo luftë do të konsolidohet më tej.
“Ministri i Jashtëm, i sapokthyer nga vizita në Bruksel, më informoi se ka një vlerësim shumë të madh nga përfaqësuesit kryesorë të BE-së dhe Komisionit Europian për rezultatet impresionuese të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri, por kjo luftë duhet të konsolidohet.”
Duke nënvizuar se efektet e kësaj lufte janë shumë impresionuese për këdo që e njeh korrupsionin, Kryeministri përmendi disa nga rezultatet konkrete në këtë drejtim si ndalimi i prokurimeve direkte, nxjerrja e administratës jashtë konfliktit të interesit, në një vend ky zyrtarët kishin monopolet e tyre private, shkurtimi i shpenzimeve operative me rreth 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto apo mbi 100 milion euro, në mënyrë të veçantë rritja e të ardhurave buxhetore duke luftuar evazionin, kontrabandën dhe informalitetin me mbi 1 miliard dollarë, nga 22 për qind në 27 për qind të PBB-së, si dhe vendosja para ligjit e dhjetëra e dhjetëra zyrtarëve. Sikundër është impresionuese edhe liria fiskale e Shqipërisë.
Kryeministri Berisha vlerësoi gjithashtu qëndrimin ndaj medias, duke vendosur në këtë mënyrë një model unik.
“Modeli i Shqipërisë ndaj mediave është unik. Shqipëria është i vetmi vend, në të cilin nuk ka padi civile apo penale nga administrata ndaj gazetarëve. Tani edhe qytetarët nuk i padisin më gazetarët dhe më vjen mirë për këtë, çka do të thotë se ka qenë qeveria një inkurajuese e madhe e padive ndaj gazetarëve. Gazetarët mund të shkruajnë atë që mendojnë, madje të shprehin edhe pakënaqësitë e pronarëve për evazionin e tyre fiskal apo humbjet që pësojnë. Qeveria i respekton mediat pa asnjë dallim. Ndonëse ligji për pronarët e tyre do të bëhet, në mënyrë që të mos mund të diktojnë në politikat editoriale jashtë ndërgjegjes së gazetarit. Koshienca profesionale e gazetarit do të mbrohet me ligj,” u shpreh Kryeministri.