V E N D I M PËR PËRBËRJEN, FUNKSIONIMIN, KOMPETENCAT DHE MËNYRËN E SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË ARKEOLOGJISË
V E N D I M
PËR
PËRBËRJEN, FUNKSIONIMIN, KOMPETENCAT DHE MËNYRËN E SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË ARKEOLOGJISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 42, të ligjit nr.9048, date 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë (KKA) ka në përbërje përfaqësues të institucioneve të specializuara dhe personalitete të fushës së kulturës së trashëguar. Numri i anëtarëve të KKA-së është 11 veta. KKA-ja kryesohet nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe ka anëtarë:
a) Drejtorin e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik;
b) Drejtorin e drejtorisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve;
c) Përgjegjësin e sektorit, në drejtorinë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve;
ç) Një personalitet të fushës së arkeologjisë, të përcaktuar nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore;
d) Drejtorin e Institutit të Arkeologjisë;
dh) Dy përfaqësues (arkeologë), të përcaktuar nga Instituti i Arkeologjisë;
e) Një përfaqësues (arkeolog), të përcaktuar nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik;
ë) Drejtorin e Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri”;
f) Një jurist të ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.
2. KKA-ja ka këto detyra e përgjegjësi:
a) Miratimin, në parim, të kritereve të kërkimit, dokumentimit dhe arkivimit të të dhënave e të materialeve arkeologjike;
b) Miratimin e strategjisë së integrimit të kërkimit arkeologjik, të nxitur nga zhvillimet dhe problemet themelore të kërkimit shkencor arkeologjik;
c) Përcaktimin e kritereve të ushtrimit të profesionit të arkeologut;
ç) Miratimin e lejeve të subjekteve private dhe të individëve, që merren me gërmime arkeologjike dhe veprimtari arkeologjike, në përgjithësi;
d) Miratimin e të gjitha projekteve të ndërhyrjes në zonat arkeologjike, në përputhje me nenin 30, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar;
dh) Miratimin e ruajtjes, të integrimit dhe zhvendosjes përfundimtare të mbetjeve arkeologjike, pas kryerjes së procesit të gërmimit arkeologjik, në të gjithë territorin e vendit;
e) Miratimin e projekteve arkeologjike, me karakter kërkimor-shkencor, në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike;
ë) Përcaktimin e kritereve të ekspozimit dhe të paraqitjes së gjetjeve arkeologjike, si dhe miratimin e mënyrës së ruajtjes e mirëmbajtjes, në funksion të turizmit kulturor.
3. Të drejtën e paraqitjes së projekteve, në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë, për gërmimet në fushën e arkeologjisë, e kanë institucionet shtetërore të specializuara dhe organizmat e tjera, të specializuara për këto gërmime.
4. Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë mblidhet sa herë paraqiten kërkesa për miratim projektesh në fushën e arkeologjisë, por jo më pak se një herë në dy muaj. Njoftimi bëhet nga sekretari i KKA-së, pas miratimit të kryetarit. Anëtarët njoftohen së paku 3 ditë përpara datës së mbledhjes.
5. Mbledhja zhvillohet sipas rendit të ditës, të miratuar nga kryetari, pas propozimit të sekretarit të KKA-së, dhe u shpërndahet anëtarëve, së bashku me dokumentacionin përkatës, të nënshkruar nga përgjegjësi i sekretarisë teknike dhe sekretari i KKA-së, së paku 3 ditë përpara mbledhjes.
6. Mbledhjet e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë zhvillohen në prani të 50 për qind + 1 të anëtarëve dhe vendimet merren me shumicë të thjeshtë të votave të të pranishmëve.
7. Vendimet e KKA-së hartohen nga sekretaria teknike, nënshkruhen nga kryetari dhe kundërnënshkruhen nga sekretari.
8. Anëtarët e KKA-së përfitojnë për pjesëmarrje, në çdo mbledhje, një shpërblim, prej 5 000 (pesë mijë) lekësh.
9. Për përgatitjen e mbledhjeve, shpërndarjen e materialeve dhe mbajtjen e protokollit krijohet dhe funksionon sekretaria teknike e KKA-së, si pjesë e strukturës së Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (ASHA).
10. Sekretaria teknike, gjithashtu, ka detyrim të njoftojë të gjithë anëtarët e KKA-së për mbledhjen e radhës. Njoftimi bëhet domosdoshmërish me shkrim, por edhe në rrugë të tjera. Njoftimi nënshkruhet nga sekretari i KKA-së.
11. Sekretaria ka detyrim mbajtjen e procesverbalit të çdo mbledhjeje, zbardhjen e tij dhe nënshkrimin nga të gjithë anëtarët e pranishëm në këtë mbledhje.
12. Në sekretarinë teknike dorëzohen të gjitha projektet dhe dokumentacioni përkatës.
13. Çdo kërkesë, si dhe dokumentacioni shoqërues, duhet të jenë të daktilografuara edhe në gjuhën shqipe, origjinale apo të noterizuara. Përgjegjësi i sekretarisë teknike, pasi shqyrton kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues, plotëson, në prani të kërkuesit, kartelën shoqëruese, e nënshkruan atë dhe, së bashku me mendimin me shkrim të tij,
e paraqet për shqyrtim në mbledhjen e radhës së KKA-së.
14. Kur projektet miratohen, sekretaria teknike, në mbështetje të vendimit të KKA-së, përgatit vendimin përkatës në tri kopje, njëra prej të cilave, pas nënshkrimit nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore, protokollimit e vulosjes, së bashku me projektin, të vulosur dhe kundërnënshkruar, në çdo faqe, nga sekretari i KKA-së, ia dorëzon subjektit të interesuar jo më vonë se 30 ditë nga data e marrjes së vendimit. Kopja e dytë ruhet në arkivin e sekretarisë teknike të KKA-së.
15. Sekretaria teknike e KKA-së mban përgjegjësi, sipas rregullave në fuqi, për trajtimin dhe ruajtjen e të gjithë dokumentacionit arkivor. Arkivi i sekretarisë teknike të KKA-së ndodhet pranë ASHA-së.
16. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
17. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe institucionet e specializuara, të përmendura në pikën 1, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA