V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REHABILITIMI DHE ZGJERIMI I FUSHËS SË MBETJEVE URBANE TË QYTETIT TË TIRANËS, NË FSHATIN SHARRË
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REHABILITIMI DHE ZGJERIMI I FUSHËS SË MBETJEVE URBANE TË QYTETIT TË TIRANËS, NË FSHATIN SHARRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të nenit 8, të ligjit nr.9464, datë 28.12.2005, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga rehabilitimi dhe zgjerimi i fushës së mbetjeve urbane të qytetit të Tiranës, në fshatin Sharrë.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të komunës Vaqarr.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 4 237 (katër mijë e dyqind e tridhjetë e shtatë) m2 tokë arë, të vlerësuar me çmimin 537 (pesëqind e tridhjetë e shtatë) lekë/ m2, me vlerë të përgjithshme shpronësimi 2 275 269 (dy milionë e dyqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë) lekë.
4. Vlera e shpenzimeve procedurale, në shumën 128 810 (njëqind e njëzet e tetë mijë e tetëqind e dhjetë) lekë, të përballohet nga komuna Vaqarr.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, 2 275 269 (dy milionë e dyqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë) lekë, të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave pranë Bankës së Shqipërisë “Fondi i shpronësimeve”.
6. Shpronësimi të fillojë më 1.6.2008 dhe të përfundojë më 31.8.2008.
7. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Plotësim dokumentacioni”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë komunës Vaqarr.
8. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave dhe komuna Vaqarr për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA