V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, TË CILAT PREKEN NGA PËRMIRËSIMI I UNAZËS SË RE, NË BASHKINË E TIRANËS
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, TË CILAT PREKEN NGA PËRMIRËSIMI I UNAZËS SË RE, NË BASHKINË E TIRANËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga përmirësimi i Unazës së Re, në bashkinë e Tiranës.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të bashkisë së Tiranës dhe, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të bëhet regjistrimi i pasurisë 3 233 m2 tokë arë, në favor të kësaj bashkie.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 3 233 m2, të vlerësuar në shumën e përgjithshme 39 879 055 (tridhjetë e nëntë milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e pesëdhjetë e pesë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, 39 879 055 (tridhjetë e nëntë milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e pesëdhjetë e pesë) lekë, të përballohet nga të ardhurat e bashkisë së Tiranës.
5. Vlera e shpenzimeve proceduriale në shumën 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë të përballohet nga bashkia Tiranë.
6. Pasuria me nr.306/147, Vol:13, Fq.110, e ndodhur në zonën kadastrale 3866, të likuidohet pas zgjidhjes së konfliktit të pronësisë dhe pas konfirmimit nga ZRPP-ja.
7. Afati i përfundimit të shpronësimit është data 5.3.2008.
8. Afati i përfundimit të punimeve në objektin “Përmirësimi i Unazës së Re”, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga bashkia e Tiranës.
9. Ngarkohet Ministria e Brendshme për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.
10. Ngarkohet bashkia e Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA