VARSHAVË – Avionë polakë dhe të aleatëve në mision patrullimi, pas një sulmi raketor rus

VARSHAVË, 1 qershor /ATSH-ANSA/ – Avionë luftarakë polakë dhe të forcave aleate u ngritën në misione patrullimi pas një sulmi masiv raketor, të nisur mbrëmë nga forcat ruse kundër Ukrainës.
”Lajmi u bë i ditur nga Komanda Operative e Forcave të Armatosura Polake”, sipas agjencisë ukrainase të lajmeve, Ukrinform.
”Ne paralajmërojmë se janë përfshirë (në këtë mision patrullimi – shën. i përkth.) avionë polakë dhe aleatë, të cilët mund të shkaktojnë zhurmë, veçanërisht në pjesën juglindore të vendit”, thuhet në një deklaratë.
Komanda nënvizoi se “të gjitha protokollet e nevojshme për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore polake janë aktivizuar”.
Mëngjesin e sotëm Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se në sulm rusët përdorën bombarduesit strategjikë tip ”Tu-95MS” për të lëshuar dhjetëra raketa balistike kundër vendit./ a.jor.