VARSHAVË – Polonia propozon mbrojtjen e Detit Baltik me dislokim detar

VARSHAVË, 27 nëntor /ATSH-DPA/- Kryeministri polak Donald Tusk ka propozuar monitorim të përbashkët të Detit Baltik nga marina e vendeve baltike të NATO-s, pas dëmtimit të kabllove të komunikimit nënujore në rajon.
“Policimi ajror Baltik tashmë ekziston për hapësirën ajrore mbi Detin Baltik”, tha sot Tusk përpara një takimi në Stokholm me krerët e qeverive të vendeve nordike dhe baltike.
“Unë do t’i bind partnerët tanë për të krijuar menjëherë një formulë analoge për kontrollin dhe sigurinë e ujërave të Detit Baltik, një mbikëqyrje detare”, tha Tusk.
“Kjo duhet të jetë një përpjekje e përbashkët e të gjitha vendeve të Detit Baltik që ndihen të kërcënuara nga Rusia”, tha ai.
Dëmtimi i dy kabllove të komunikimit u zbulua në Detin Baltik brenda një periudhe të shkurtër kohore, një javë e gjysmë më parë.
Kabllot kalojnë midis Helsinkit në Finlandë dhe Rostokut në Gjermani dhe midis Suedisë dhe Lituanisë.
Nuk dihen ende shkaqet e dëmit në të dyja rastet. Policia suedeze ka nisur një hetim për sabotim të mundshëm, dhe disa vende të tjera po hetojnë gjithashtu incidentet.
Hetuesit janë veçanërisht të interesuar për anijen kineze të mallrave “Yi Peng 3”, e cila mendohet se ka kaluar të dy vendet në momentet e prishjes së kabllove.
Takimi në Suedi është i pari i krerëve të qeverive nordike-baltike që nga viti 2017. //a.i/