E Diel, 1 Nëntor 2026

VARSHAVË – Sikorski kërkon ndalimin e hyrjes së ministrit izraelit Ben-Gvir në Poloni

VARSHAVË, 21 maj /ATSH/- Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski ka kërkuar ndalimin e hyrjes në Poloni, të ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, pas zemërimit të shkaktuar në Varshavë, për ndalimin e aktivistëve ndërkombëtarë, në bordin e flotës së ndihmave për në Gaza, nga forcat izraelite, raportoi “Reuters”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme polake deklaroi sot se, Varshava synon t’i ndalojë hyrjen në territorin polak ministrit të ekstremit të djathtë izraelit, pas trajtimit të aktivistëve të ndaluar nga ushtria izraelite, mes të cilëve kishte edhe shtetas polakë.

Më herët, ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski thirri në Ministrinë e Jashtme të ngarkuarin me punë të Izraelit, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të aktivistëve të flotiljes dhe një kërkimfalje zyrtare.

“Polonia dënon me vendosmëri sjelljen e përfaqësuesve të autoriteteve izraelite ndaj aktivistëve të flotiljes “Global Sumud”, të ndaluar nga ushtria izraelite, përfshirë qytetarë polakë”, shkroi Sikorski në platformën X.

Ai theksoi se Polonia pret që qytetarët e saj të trajtohen në përputhje me standardet ndërkombëtare, ndërsa zyrtarët konsullorë po kërkojnë akses tek të ndaluarit.

Një zëdhënës i ministrisë bëri të ditur më vonë se dy shtetas polakë ndodheshin mes të ndaluarve dhe se ata do të riatdhesoheshin gjatë natës së 21 majit.

“Sot qytetarët tanë, dhe jo vetëm qytetarët tanë, do të largohen nga Izraeli. Ky është një lajm shumë i mirë”, tha zëdhënësi për shtyp i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maciej Wewior.

“Ministri Sikorski ka vendosur t’i kërkojë Ministrisë së Brendshme dhe Administratës ndalimin e hyrjes së ministrit Ben-Gvir në territorin e Republikës së Polonisë për shkak të veprimeve të tij”, shtoi ai.

Sikorski bëri të ditur gjithashtu se i ngarkuari me punë i Izraelit, ishte thirrur për t’i përcjellë “indinjatën e Polonisë dhe për të kërkuar një falje për sjelljen jashtëzakonisht të papërshtatshme të një anëtari të qeverisë izraelite”.

Policia izraelite më 20 maj detyroi aktivistët në bordin e flotiljes humanitare drejt Gazës të gjunjëzoheshin në rresht me duart e lidhura pas shpine, ndërsa Ben-Gvir ishte i pranishëm në vendngjarje.

Pamjet shkaktuan reagime të forta nga liderë të huaj dhe kritika edhe brenda vetë qeverisë izraelite. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›