E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PER SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, NË PRONËSI, TË 4 FAMILJEVE TË FSHTRAVE ZALL-MNER DHE BULÇESH, TË PREKURA NGA NDËRTIMI I UJËMBLEDHËSIT TË BOVILLËS

V E N D I M


PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, NË PRONËSI, TË 4 FAMILJEVE TË FSHTRAVE ZALL-MNER DHE BULÇESH, TË PREKURA NGA NDËRTIMI I UJËMBLEDHËSIT TË BOVILLËS


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”,  dhe të nenit 8, të ligjit nr.9464, datë 28.12.2005, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1.  Shpronësimin, për interes publik, të pasurive të paluajtshme, në pronësi, të 4 familjeve të fshtarave Zall-Mner dhe Bulçesh, të prekura nga ndërtimi i ujëmbledhësit të Bovillës.

2. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen, në vlerë të plotë, për sipërfaqen 29 710  (njëzet e nëntë mijë e shtatëqind e dhjetë) m2, tokë arë, të vlerësuar me çmimin 626 (gjashtëqind e njëzet e gjashtë) lekë/m2, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi 18 598 460 (tetëmbëdhjetë milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë) lekë.

3.  Shpenzimet procedurale, në vlerën 235 000 (dyqind e tridhjetë e pesë mijë) lekë, të përballohen nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit,  18 598 460 (tetëmbëdhjetë milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë) lekë, të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave në Bankën e Shqipërisë “Fondi i shpronësimeve”, të parashikuar për shpronësimin e unazës Shkodër.

5. Procedurat e likuidimit  të përfundojnë brenda datës 31.12.2008.

6. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit e Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA


10/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›