VENDIM PËR HAPJEN, NË QYTETIN E LUSHNJËS, TË FILIALEVE, PËRKATËSISHT, TË FAKULTETIT TË EKONOMISË E TË AGROBIZNESIT DHE TË FAKULTETIT TË BUJQËSISË E TË MJEDISIT, TË UNIVERSITETIT BUJQËSOR TË TIRANËS, DHE TË PROGRAMEVE TË STUDIMIT, TË CIKLIT TË PARË,
V E N D I M
PËR
HAPJEN, NË QYTETIN E LUSHNJËS, TË FILIALEVE, PËRKATËSISHT, TË FAKULTETIT TË EKONOMISË E TË AGROBIZNESIT DHE TË FAKULTETIT TË BUJQËSISË E TË MJEDISIT, TË UNIVERSITETIT BUJQËSOR TË TIRANËS, DHE TË PROGRAMEVE TË STUDIMIT, TË CIKLIT TË PARË, NË KËTO FILIALE, SI DHE PËR MIRATIMIN E KUOTAVE TË PRANIMIT E TË TARIFËS SË SHKOLLIMIT NË KËTO PROGRAME, PËR VITIN AKADEMIK 2008-2009
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 1, 11, pika 2, shkronja “b”, 26, 33, 42 e 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen, në qytetin e Lushnjës, të filialeve, të Fakultetit të Ekonomisë e të Agrobiznesit dhe të Fakultetit të Bujqësisë e të Mjedisit, si njësi përbërëse të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
2. Hapjen e programeve të studimit, të ciklit të parë, “Drejtimi i fermave dhe i agrobiznesit” dhe “Financë-kontabilitet”, në filialin e Fakultetit të Ekonomisë dhe të Agrobiznesit, të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Në përfundim të këtyre programeve të studimit përfitohen, përkatësisht, diplomë e nivelit të parë, DNP, për “Drejtim të fermave dhe agrobiznesit”, dhe diplomë e nivelit të parë, DNP, në “Financë-kontabilitet”.
3. Hapjen e programit të studimit, të ciklit të parë, “Hortikulturë”, në filialin e Fakultetit të Bujqësisë e të Mjedisit, të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Në përfundim të këtij programi studimi do të jepet diplomë e nivelit të parë, DNP, në “Hortikulturë”.
4. Këto programe studimi realizohen me 180 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është tri vite akademike.
5. Numri i kuotave të pranimeve, në secilin nga këto programe studimi, me kohë të plotë, për vitin akademik 2008-2009, është 25.
6. Tarifa vjetore e shkollimit për studentët, që regjistrohen në vitin e parë, në këto programe studimi, me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, është 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë.
7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti vjetor, i miratuar për Universitetin Bujqësor të Tiranës.
8. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA