E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E PAJISJEVE TË VEÇANTA, TË NGJYRAVE DHE SHENJAVE PËR MJETET E POLICISË SË SHTETIT

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E PAJISJEVE TË VEÇANTA, TË NGJYRAVE DHE SHENJAVE PËR MJETET E POLICISË SË SHTETIT


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.9749, datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Policia e Shtetit përdor mjetet e saj lëvizëse të uniformuara dhe të pauniformuara, të ndara në:

a) mjete tokësore;
b) mjete ujore;
c) mjete ajrore.

2. Mjetet e uniformuara, në përdorim të strukturave dhe punonjësve të Policisë së Shtetit, kanë:

a) Ngjyrë blu të errët;
b) Targën me fjalët  “POLICIA” dhe numrin, në përputhje me kërkesat e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë;
c) Logon e Policisë së Shtetit, të vendosur në çdo anë të dukshme të mjetit, dhe numrin e telefonit;
ç)  Pajisjet sinjalizuese, ndriçuese e zanore (sirena).

Ngjyra, targat dhe logoja në mjetet e uniformuara të Policisë së Shtetit janë të njëjta.

3. Mjetet e pauniformuara, në përdorim të strukturave dhe punonjësve të Policisë së Shtetit, kanë logon dhe targën “POLICIA”, të lëvizshme.

4. Të gjitha mjetet e Policisë së Shtetit kanë pajisje të veçanta, të domosdoshme për sigurimin e jetës dhe realizimin e detyrës.

5. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit miraton:

a) strukturat e Policisë së Shtetit, që do të përdorin mjete të uniformuara dhe të pauniformuara, në funksion të detyrës;
b) llojet, sasinë dhe afatin e përdorimit të pajisjeve, që do të kenë mjetet e Policisë së Shtetit, sipas funksionit që ato do të përdoren;
c) rregulloren e përdorimit të mjeteve dhe të pajisjeve, për struktura të veçanta të Policisë së Shtetit.

6. Çdo akt nënligjor, që bie në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohet.

7. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I


SALI  BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›