Kryebashkiaku i Kukësit largohet nga PD dhe i bashkohet LSI-së
Hasan Halili akuzon ministrin Olldashi se ka penguar investimet
Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halili i zgjedhur në këtë post nën siglën e Partisë Demokratike për dy mandate radhazi ka deklaruar largimin e tij nga PD-ja dhe bashkimin me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Njoftimi është bërë nga vetë Halili, ndërsa ka bërë publiket edhe arsyet e largimit.
Arsyet
Në deklaratën e tij, kryebashkiaku i Kukësit, bën të ditur se largimi i tij nga PD-ja erdhi për shkak të mos mbajtjes së premtimeve të qeverisë në qytetin e Kukësit. Ndër të tjerash, Halili akuzon ministrin e Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi si personin i cili nuk ka lejuar realizimin e projekteve në Kukës. Ka pasur iniciativa të Olldashit për mosrealizim të projekteve në Kukës, tha Halili. Në vijim, kreu i Bashkisë renditi një sërë projektesh të qeverisë për Kukësin, por që sipas tij asnjëri prej tyre nuk është realizuar. Ndër më kryesoret Halili rendit ndërtimin e ujësjellësit, i cili sipas tij është ndërtuar jashtë standardeve, mos ndërhyrja në infrastrukturën rrugore, mos ndërtimi i landfillit të mbeturinave, mungesa e financimit për ndërtimin e konvikteve të shkollës së mesme, qendrës së shërbimeve sociale si dhe mos funksionimit të tregut agro-ushqimor. Halili thotë gjithashtu se prej gjashtë vitesh ka bërë një kërkesë për ndërtimin e një shkolle të re në qytet, dhe për këtë nuk ka marrë ende përgjigje, ndërsa deklaron se ende nuk është miratuar plani rregullues i bashkisë. Prej gjashtë vitesh kam bërë shkresë për një shkollë të re në qytet dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje, u shpreh ndër të tjerash kryetari i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halili. Bashkimin e tij në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim Halili thotë se e bën për shkak të besimit tek kreu i LSI-së, Ilir Meta dhe premtimeve të tij për qytetin e Kukësit. Kjo është hera e parë që një kryetar bashkie i zgjedhur nën logon e Partisë Demokratike të largohet nga kjo parti duke iu bashkuar një partie tjetër. Ndërsa në kampin e majtë, lëvizje të tilla ka pasur disa.
Rama: Kavaja ka ndryshuar që
pas fitores së Bashkisë nga PS-ja
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me banorë të qytetit të Kavajës. Gjatë fjalës së tij, Rama ka sulmuar drejtimin e Kavajës nga demokratët ndërsa ka premtuar realizimin e një sërë projekteve për këtë qytet. Mendoj se frytet e para Kavaja ka nisur ti marrë. Unë vij hera pas here dhe kam kaluar, por këtu nuk shihje një fytyre duke qeshur, votojnë atje me dy gishta lart dhe nuk qeshnin. Sot është qytet model për nga pastërtia. Përpara kishte letra shishe, tmerr i madh. Ne do bëjmë shumë më shumë. Kemi projektin e ri për sheshin e Kavajës. Dy gishtat do ja çojmë Saliut. E kemi atë plan. Do bëjmë një shesh të bukur si sheshet e qyteteve mesdhetare. Kemi projektet e xhamisë së re, që kreu i bashkisë e ka shumë për zemër, sa herë e takon thotë aman xhaminë. Projekte për lagjet komunitet, kemi projektin e stadiumit, tha Rama. Në vijim, teksa akuzoi qeverinë për rritjen e papunësisë në vend, Rama premtoi ndryshim të kësaj situate pas 23 qershorit. Saliu nxjerr spot se kemi hapur 200 mijë vende pune, ndërsa INSTAT thotë ka humbur vende pune. Problemi është të hapim vend pune reale, dhe vende te reja punë hapim duke nxitur investime prodhuese, premtoi Edi Rama.
Berisha: Ja tre projektet madhore
të qeverisë në mandatin e ardhshëm
Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje nisjen e punimeve për ndërtimin e rrugës, Lushnje- Hysgjokaj-Rrasë-Vashaj. Gjatë fjalës së tij, kryeministri vlerësoi rëndësinë e ndërtimit të kësaj rruge, e cila sipas kreut të qeverisë do ti jap një zhvillim më të madh kësaj zone. Në vijim, kryeministri Berisha bëri publike projektet e qeverisë për mandatin e ardhshëm qeveritar. Ju garantoj juve se sapo ky projekt ti afrohet finalizimit, në shkallën më të gjerë, do të ndërmarrim sistemin më modern të vaditjes për ju dhe fermerët shqiptarë kudo që janë. Projekti i vaditjes, fillon në shtator dhe Lushnja është rrethi ku do të fillojë aplikimi i parë ti tij me 60 milion euro. Por le të kushtoje 200, le të kushtojë 400, 800 milion apo një miliard, projekti i vaditje do të jetë projekti më i madh i katër viteve që vijnë, sëbashku me Rrugën e Arbërit dhe Boshtin e Jugut. Këto janë tre projektet gjigande të katër vjeçarit të ardhshëm, u shpreh kryeministri Berisha. Në vijim të fjalës së saj, kreu i qeverisë nuk i kurseu as akuzat për kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Ju lutem ftojeni këtu shokun e autobusit. I thuaj, hiqi pak syzet e etërve tuaj, hidhi sytë vetëm në atë shpat të shohësh ti se ku janë Hysgjokajt, se kush janë gratë dhe burrat e kësaj komune, çfarë dinë të bëjnë ata, tha kryeministri Sali Berisha.