E Enjte, 5 Nëntor 2026

VENEZUELË – TikTok pezullon Maduro deri më 19 gusht

RIO DE ZHANEIRO, 13 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro akuzoi TikTok për standarde të dyfishta – pasi platforma e ndarjes së videove kishte pezulluar llogarinë e tij për një javë – për transmetimin e drejtpërdrejtë të “akteve të dhunës”.

“TikTok më hoqi nga transmetimi dhe më pezulloi nga transmetimi deri më 19 gusht për një javë”, tha Maduro gjatë një seance të përbashkët të Këshillit të Shtetit dhe Këshillit të Mbrojtjes Kombëtare – video të cilat ai i ndau në platformat e mediave sociale, përfshirë TikTok.

“Unë akuzoj ekzekutivin dhe pronarët e TikTok se duan një luftë civile në Venezuelë, për mbështetjen e fashizmit në Amerikën Latine dhe në botë”, tha Maduro, duke akuzuar kompaninë për “një aleancë me fashizmin në Venezuelë dhe Amerikën Latine”.

Maduro tha se TikTok e pezulloi atë për transmetimin e “akteve të dhunës”.

Maduro pretendon se platformat e mediave sociale po përdoren për të nxitur urrejtje gjatë protestave në vend – pas zgjedhjeve presidenciale të 28 korrikut, të cilat janë përfshirë nga akuza të rënda për mashtrim.

Të enjten, ai urdhëroi bllokimin e platformës X në Venezuelë për 10 ditë, për të cilën ai tha se “nxit urrejtje, fashizëm, luftë civile, vdekje dhe konfrontim midis venezuelianëve – dhe se ka shkelur të gjitha ligjet e Venezuelës”.

Një numër i madh venezuelianësh kanë demonstruar ditët e fundit kundër asaj që ata besojnë se janë zgjedhje presidenciale të manipuluara.

Autoritetet shtetërore kanë goditur ashpër protestuesit, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut “Provea dhe Human Rights Watch” që raportojnë se 24 njerëz kanë vdekur dhe qindra janë arrestuar.

Autoriteti elektoral CNE i Venezuelës shpalli fitues të zgjedhjeve Maduro, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2013. Megjithatë, ai nuk ka publikuar ende rezultatet e detajuara të zonave të votimit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›