E Diel, 1 Nëntor 2026

(VIDEO) Atentati në Lezhë/ Zbulohen automjetet e autorëve në Torovicë, në kërkim një 22-vjeçar

Policia në Lezhë vijon hetimet për atentatin e ndodhur më 26 prill 2026 në fshatin Balldren, ku humbën jetën bashkëshortët Kreshnik dhe Gentjana Mujeci.

Gjatë veprimeve hetimore, në fshatin Torovicë është gjetur një automjet tip “Volkswagen Polo” pa targa, i dyshuar se është përdorur nga autorët. Brenda tij janë sekuestruar edhe dy gëzhoja, ndërsa mjeti kishte dëmtime në xhamat e pasmë.

Në të njëjtën banesë është zbuluar edhe një automjet tjetër i ngjashëm, këtë herë me targa, që dyshohet se është përdorur për të fshehur gjurmët e krimit. Po ashtu, janë sekuestruar veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë atentatit, si dhe një palë targa.

Sipas hetimeve paraprake, një nga të dyshuarit ka marrë një makinë me qira dhe e ka përdorur për t’u prerë rrugën viktimave, para se të qëllonte ndaj tyre. Pas krimit, automjeti është fshehur në një banesë në Torovicë.

Policia ka shpallur në kërkim një 22-vjeçar nga zona, ndërsa ndaj babait të tij ka nisur procedim penal. Ndërkohë, vijojnë kontrollet në terren për identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›