E Diel, 1 Nëntor 2026

Emiratet e Bashkuara Arabe braktisin OPEC/ Vendim me ndikim në tregun global të naftës

Emiratet e Bashkuara Arabe do të largohen nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) duke nisur nga 1 maji, sipas një njoftimi të agjencisë shtetërore të lajmeve WAM.

Në deklaratën zyrtare, autoritetet e Emirateve theksojnë se ky hap lidhet me strategjinë e tyre afatgjatë ekonomike dhe energjetike, duke synuar rritjen e investimeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve prodhuese brenda vendit.

Tërheqja pritet të ndikojë edhe në balancat brenda OPEC+, ku përfshihet edhe Rusia, duke dobësuar peshën e kartelit dhe veçanërisht rolin e Arabisë Saudite. Aktualisht, vendet anëtare të OPEC përbëjnë rreth 36% të prodhimit global të naftës dhe zotërojnë afro 80% të rezervave të njohura.

Ministri i Energjisë, Suhail Al Mazrouei, deklaroi se vendimi pasqyron një qasje të re, të orientuar nga tregu dhe prioritetet strategjike afatgjata. Ai shtoi se Emiratet do të vijojnë të kontribuojnë në sigurinë energjetike globale, duke garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe me ndikim më të ulët në karbon.

Prej vitesh, Emiratet kanë kërkuar rritjen e kuotave të prodhimit brenda OPEC për të shfrytëzuar më tej kapacitetet e tyre. Aktualisht, vendi renditet mes 10 prodhuesve më të mëdhenj të naftës në botë, me një peshë prej rreth 3–4% në prodhimin global.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›