VIDEO/ Në ditëlindjen e tij, shqiptari bëhet hero në Itali!

Sot, më 20 nëntor, në ditën e 32-vjetorit të tij, Elton Zefi u gjend përballë një momenti që ndan jetën nga vdekja.
Një makinë humbi kontrollin dhe u zhyt në ujërat e akullta të Kanalit Battaglia në Padova.
Brenda saj, një 85-vjeçar i bllokuar, pa asnjë mundësi shpëtimi.
Pa hezituar, Eltoni u zhvesh dhe u hodh në ujë. Krahas tij, edhe një qytetar tjetër guximtar. Të dy luftuan me xhamat e mbyllur, me të ftohtin që paralizonte muskujt.
Me forcën e mbetur, Eltoni arriti ta nxjerrë të moshuarin dhe ta tërheqë në breg.
Pak më vonë, ai zbuloi se njeriu që shpëtoi ishte Giuseppe Salvalajo , sipërmarrës i njohur, dikur punëdhënës i tij.
“Po, rrezikova jetën, por mendova se në atë makinë mund të ishte familjari im. Në raste të tilla nuk ka frikë, ka vetëm veprim“, thotë Elton Zefi
Media italiane e ka cilësuar si një nga “dy engjëjt” që shmangën një tragjedi të sigurt. Dhe Eltoni e mbylli ditën me fjalët që tingëllojnë si një himn i jetës:
“Të shpëtosh një jetë është dhurata më e bukur e ditëlindjes“.