E Martë, 3 Nëntor 2026

VIDEO/ Nis seanca gjyqësore, Apeli vendos sot për vulën e PD, dalin pamjet nga brenda sallës

Ditën e sotme mbahet gjyqi për vulën e Partisë Demokratike. Grupi i Rithemelimit prej 3 vitesh pretendon se vula i takon Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha.

Nga ana tjetër, Lulzim Basha, referuar regjistrimit të partive politike njihet si kryetari legjitim i PD-së, duke bërë kështu që vulën dhe logon e kësaj partie, ta kontrollojë ai dhe mbështetësit e tij, në atë që njihet si PD zyrtare.

Çështja do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh me relatore Alma Ahmeti, ndërsa dy anëtarët janë Iliba Bezati dhe Elona Toro dhe vendimi do të jetë i formës së prerë.

Në seancën e 27 dhjetorit të vitit të shkuar Gjykata e Lartë i kërkoi Apelit të vendosë përfundimisht për këtë çështje. Në argumentet e saj, Gjykata e Lartë u shpreh se Apeli nuk kishte kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk kishte kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe kishte interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.

Të pranishëm nga PD e Rithelemimit janë Gazment Bardhi, Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Albana Vokshi, Luciano Boci, Luan Baci dhe Elda Hoti. Përfaqësuesit ligjor janë Oerd Bylykbashi e  Ivi Kaso. Ndërkohë nga PD e Bashës, përfaqësues ligjor janë Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi, ndërsa i pranishëm është edhe anëtari i Kryesisë Endri Hasa. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›