VIDEO/ PD vijon replikat me ish- kryeministrin Berisha, dhe presidentin Meta

Partia Demokratike, ka vijuar edhe sot replikat me ish- kryeministrin, Sali Berisha dhe presidentin Ilir Meta. Përmes një video-mesazhi në rrjete sociale, PD shprehet se ish-kryeministri Sali Berisha, për hallin e tij personal, iu nënshtrua presidentit Meta. PD thekson se Metës, i duhen votat e demokratëve për pazarin e radhës me kryeministrin Edi Rama. Selia blu shprehet se çdo votë në ‘Shtëpinë e Ilirit’, është votë për Edi Ramën, duke ironizuar logon që Berisha dhe Meta përdorën për koalicionin.
“Për hallin e tij, Sali Berisha iu nënshtrua Ilir Metës. Ilir Metës i duhen votat e demokratëve për pazarin e rradhës me Edi Ramën. Çdo votë për “Shtëpinë e Ilirit” është votë për Edi Ramën. Demokratët e kanë provuar njëherë në kurrizin e tyre në 2013 pazarin Rama-Meta. Për hallin e Sali Berishës ata nuk do të bëhen më pjesë e pazarit të rradhës. Sot është e qartë, nëse zgjedh Berishën dhe Metën, mban Ramën. Nëse zgjedh Ramën, mban Berishën dhe Metën.”-thuhet në reagimin e PD.
Në videon e publikuar nga PD, citohet Berisha, i cili thotë se Meta „është i zhytur kokë e këmbë në krim“. Më tej citohet sërish Berisha, i cili ka deklaruar se ka marrë pjesë në bisedime me Metën për të bërë koalicionin e përbashkët për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.