E Enjte, 5 Nëntor 2026

Basha: Jemi kaq afër arritjes së një prej ëndrrave me të cilat kemi lindur, një Shqipërie normale, të zhvilluar!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka sulmuar ashpër kundërshtarët e tij politikë Berisha, Meta dhe Rama.

Gjatë një takimi me përkrahës të PD-së në Tiranë, ai tha se “Halli që i lidh bashkë këta të tre është që janë mbetjet e tranzicionit 30-vjeçar, është që shqiptarët e kanë kuptuar instrumentin e politikës së tyre të vjetër, që është premto, mos bëj, pastaj justifiko, gënje, e premto prapë”. 

Zoti Basha tha se PD vjen me një politikë me fytyrë njerëzore. 

Ai akuzoi paraardhësin e tij Berisha se me sulmin barbar kundër demokratëve u bë për t’i dorëzuar partinë Ilir Metës. “Gjithë ajo skenë barbare atje e sulmit kundër shtëpisë së demokratëve, për çfarë paska qenë? Që Shtëpia e Lirisë të kthehet në shtëpinë e Ilirit?! Se kështu i bie! Apo jo?!”, tha Basha.

Sipas tij PD ditë për ditë bën nga një hap përpara! “Ditë për ditë më shumë shqiptare e shqiptare në krahun tonë duan ndryshim!” tha kreu i PD.

Për zotin Basha “Kohët janë të errëta, sfidat janë të mëdha, por çfarë është shqiptare do të mbetet shqiptare, çfarë është demokrate do të mbetet demokrate, e nuk do të përlyhet as nga hijet e korrupsionit, as nga mbetjet e të shkuarës, dhe as nuk do të lejojmë të komprometojnë e të mbajnë peng Shqipërinë, e të mbajnë në vend Shqipërinë”. 

Sipas kreut të PD “Jemi kaq afër arritjes, e një prej ëndrrave me të cilat kemi lindur, një Shqipërie normale, të zhvilluar. Një Shqipërie të lirive, të lirisë së fjalës, lirisë së pronës, lirisë së besimit në Zot, lirisë së lëvizjes, lirisë së tregut, dhe mishërimit të tyre në kornizën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”. 

“Dy gjëra na kanë bashkuar dhe na kanë thirrur në këtë betejë, bashkë me gjithë shoqërinë shqiptare; opozitarizmi ballor dhe pa kompromis kundër Edi Ramës dhe vlerat euroatlantike!” tha zoti Basha. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›