VIDEO/ Rrëzohet avioni, Agjencia Federale Ruse: Shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin ka vdekur

Shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, ka vdekur. Agjencia Federale Ruse e Transportit Ajror ka konfirmuar se shefi i Wagner, Yevgeny Prigozhin, ishte në bordin e avionit që u rrëzua në rajonin Tver të mërkurën. Mediat raportojnë se ai humbi jetën gjatë rrëzimit të një avionit në Rusi. Një aeroplan biznesi i tipit Embraer Legacy, që udhëtonte nga Moska për në Shën Petersburg u rrëzua të mërkurën, duke vrarë të 10 personat që ndodheshin në bord. Kjo u bë e ditur nga zyrtarë rusë të emergjencës.
Shefi i mercenarëve Yevgeny Prigozhin ishte në listën e pasagjerëve, thanë zyrtarët, por nuk ishte menjëherë e qartë në fillim nëse ai ishte në bord. Raportet e pakonfirmuara të mediave thanë se avioni i përkiste Prigozhin, themeluesit të kompanisë private ushtarake Wagner.
Edhe komandanti dhe bashkëthemeluesi i Wagner, Dmitry Utkin, ka mbetur i vdekur. Ai ishte një nga personat që po udhëtonte në aeroplanin e rrëzuar. Emri i tij gjendet në listën e publikuar nga agjencia ruse e transportit ajror.
(Komandanti dhe bashkëthemeluesi i Wagner, Dmitry Utkin)
Rregullatori i aviacionit civil të Rusisë, Rosaviatsia, tha se Prigozhin ishte në listën e pasagjerëve. Megjithatë, nuk ishte menjëherë e qartë nëse ai kishte hipur në fluturim.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass citoi zyrtarët e emergjencës të kenë thënë se avioni mbante tre pilotë dhe shtatë pasagjerë. Autoritetet thanë se po hetonin përplasjen, e cila ndodhi në rajonin Tver më shumë se 100 kilometra në veri të Moskës.
Deklarata e ministrisë së Emergjencave nuk përmend Prigozhin, por agjencia shtetërore e lajmeve Tass citoi Agjencinë Federale të Transportit Ajror të thoshte se ai kishte qenë në mesin e shtatë pasagjerëve në aeroplanin që u rrëzua.
Një kanal Telegram i lidhur me Wagner-in, Gray Zone, raportoi se avioni u rrëzua nga mbrojtja ajrore në rajonin Tver, në veri të Moskës. Prigozhin udhëhoqi një rebelim të dështuar kundër forcave të armatosura ruse në qershor.
(Pamje nga avioni i rrëzuar)
Humbja e sinjalit
Të dhënat e gjurmimit të fluturimeve të shqyrtuara nga Associated Press tregojnë një avion privat të regjistruar në emër të Wagner, që Prigozhin e kishte përdorur më pare, u ngrit nga Moska të mërkurën në mbrëmje. Sinjali i transponderit të tij u zhduk disa minuta më vonë. Sinjali humbi në një rajon rural ku nuk ka fusha ajrore aty pranë dhe ku avioni mund të ishte ulur i sigurt.
Sipas CNN, në videon e publikuar, shihen katër shifrat e fundit të një numri regjistrimi në mbeturinat e motorit që digjet- 2795. Avioni i Prigozhin është i regjistruar si RA-02795.
Prigozhin ka vdekur
Një kanal në Telegram që besohet të jetë i lidhur me Yevgeny Prigozhin, ka thënë se “lideri i Wagner ka vdekur”.
Zona Gri tha se ai ishte “vrarë si rezultat i veprimeve të tradhtarëve të Rusisë”.
Gjithësesi, vdekja e Prigozhin ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Prigozhin, “një i vdekur që ecën”
“Një i vdekur që ecën” është mënyra se si disa vëzhgues të Rusisë e kanë përshkruar shefin mercenar të Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, që kur ai udhëhoqi marshimin e tij të dështuar rebel kundër Moskës në fund të qershorit.
Reagimi fillestar i Presidentit Putin ndaj asaj sfide ishte i ashpër, duke e quajtur atë një tradhti dhe një goditje me “thikë pas shpine” në një video-mesazh më 24 qershor.
Fakti që më pas u lidh me ngut një marrëveshje që e pa Prigozhin të mbetet i lirë dhe më pas të shfaqej në Bjellorusi, Shën Petersburg dhe këtë javë, diku në Afrikë, nuk do të thotë se ai ishte i sigurt.
“Hakmarrja”, komentoi drejtori i CIA-s, William Burns, “është një pjatë që Putini preferon të serviret e ftohtë”.
Asnjë nga këto, natyrisht, nuk është provë se Prigozhin u shënjestruan qëllimisht. Por duke pasur parasysh rrethanat, çdo pretendim se vdekja e tij, nëse konfirmohet, ishte një aksident, do të ketë shumë vetulla të ngritura.
Hetimet
Autoriteti shtetëror rus i aviacionit Rosaviation deklaroi se një komision i posaçëm “ka filluar të hetojë rrethanat dhe shkaqet e aksidentit me avionin Embraer-135, i cili ndodhi më 23 gusht në rajonin e Tverit”.
Deklarata e autoritetit tha se avioni i përkiste MNT-Aero LLC, e cila është e specializuar në transportin e biznesit.
“Sipas të dhënave paraprake, në bordin e avionit, i cili fluturoi në linjën Moskë-Shën Petersburg, kishte shtatë pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit”, tha autoriteti.
“Komisioni i Agjencisë Federale të Transportit Ajror po fillon veprimet fillestare në vendin e aksidentit, si dhe ka filluar mbledhjen e materialeve faktike për trajnimin e ekuipazhit, gjendjen teknike të avionit, situatën meteorologjike në rrugën e fluturimit, puna e shërbimeve dispeçer dhe pajisjeve radio tokësore”, thuhet në deklaratë.
“Në këtë fazë të hetimit, specialistët do të duhet gjithashtu të kërkojnë për mjete kontrolli objektiv në bord për dekodimin dhe analizën e tyre të mëvonshme të të dhënave të “kutisë së zezë”, tha autoriteti.
Presidenti Biden informohet për rrëzimin e avionit rus
“Presidenti amerikan Joe Biden është informuar për aksidentin e raportuar të avionit në Rusi”-, tha Shtëpia e Bardhë.
Një zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë tha se “askush nuk duhet të habitet” nëse konfirmohen raportimet se themeluesi i Wagner, Yevgeny Prigozhin, ishte në bordin e avionit të rrëzuar.
“Ne i kemi parë raportet. Nëse konfirmohet, askush nuk duhet të habitet. Lufta katastrofike në Ukrainë çoi në marshimin e një ushtrie private drejt Moskës, dhe tani – me sa duket – kemi këtë”,- tha në një deklaratë zëdhënësja e këshillit, Adrienne Watson.
Çfarë është Wagner?
Wagner është një ushtri mercenare ruse, e cila u themelua në vitin 2014. Grupi drejtohej nga Yevgeny Prigozhin. Wagner ishte shumë aktiv në luftën në Ukrainë derisa u tërhoq pas një rebelimi të dështuar në qershor. Luftëtarët e Wagner tani raportohet se janë të vendosur në kampet ushtarake në Bjellorusi. Ndërkohë, grupi është aktiv edhe në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Rrëzimi i avionit ku dyshohet se ndodhej Prigozhin, përmbledhje e lajmeve telegrafikisht
Çfarë ndodhi?
– Një avion Embraer u rrëzua pranë vendbanimit Kuzhenkino në rajonin Tver në veri të Moskës.
– Avioni mbante tre persona të ekuipazhit dhe shtatë pasagjerë. Ata u vranë të gjithë, tha Ministria Ruse e Situatave Emergjente.
Destinacioni i avionit
– Avioni u nis nga aeroporti Sheremetyevo i Moskës për në Shën Petersburg.
– Lista e pasagjerëve përfshin Yevgeny Prigozhin, tha agjencia ruse e aviacionit.
Reagimi zyrtar
– Agjencia ruse e aviacionit ka nisur një hetim për rrëzimin.
– Në vendngjarje janë forcat e rendit.
– Guvernatori i rajonit Tver, Igor Rudenya e ka marrë hetimin nën mbikëqyrjen e tij personale.
(Ky është tipi i avionit privat, Embraer Legacy, me të cilin udhëtonin 10 pasagjerët, mes tyre dhe Yevgeny Prigozhin, i cili dyshohet se ka humbur jetën).
/rtsh.al/