VIDEO/ Të dyshuarit për vrasjen e djalit të tij u liruan, babai i Martin Çeços: Do t’i përvëloj ata që nesër, nuk i lë

Gjykata e Apelit të Tiranës ka liruar nga burgu 3 autorët e dyshuar të vrasjes së 26-vjeçarit Martin Çeço, për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit, duke i lënë ata në ‘arrest shtëpie‘.
Pas këtij vendimi ka reaguar babai i 26-vjeçarit, i cili para kamerës ka shpërthyer në lot.
Ai shton se djali i tij nuk u vra për një histori dashurie, siç është pretenduar, por sepse kishte parë drogën e mbjellë në parcelat e autorëve.
“S’kam ça të them më. Unë do t’i përvëloj ata që nesër, nuk i lë. Nuk jetoj më unë. Arrest shtëpie lirim janë ata. Mua nuk më dhimbset jeta fare, nuk i le. Ta them troç, nuk i le, le të më arrestojnë po të duan. Do gjej një bidon me benzinë dhe do i djeg. Djali nuk pati as takim me çupën e asgjë. Dy dashnorë në fshat i kishte ajo, pse nuk bëri ndonjë krim te ata, por bëri te djali im. Ata kanë mbjellë drogë aty lart. Dhe për të zhdukur djalin tim kishin dalë në Maliq dy veta. E hape gojën i kishin thënë, do të zhdukim. Djali im s’kishte faj. Unë do i përvëloj me benzinë të gjithë si familje. I dënuan 25 vite, ia dërguan Tiranës dhe atje thanë që do dënohen me burg të përjetshëm. Tani i liruan fare. Unë nuk i lë pa përvëluar ata dhe kur të mbaroj punë, do i them djalit ‘e realizova planin’. Dhe nuk e bëj veten të më arrestojnë, do vras veten në mes të gjyqit atje”, tha mes lotëve babai i Martin Çeços.
Martin Çeço, 26-vjeç, u gjet i vdekur në qershor 2022, në rezervuarin e fshatit Kolanec, në Maliq.