E Shtunë, 31 Tetor 2026

VIP-a apo kuzhinierë me famë, flasin protagonistët

"Burrat nën hije, lozin e kuvendojnë… Pika që s’u bie, se nga gratë rrojnë!” Kujtoj jo pa qëllim këto vargje të Çajupit, për të treguar se kohët kanë ndryshuar, dhe shumë madje. Nëse punët e shtëpisë konsideroheshin një “detyrë” e pashkruar e gruas, një angazhim i përditshëm përpos të tjerave, sot ky raport është përmbysur. Meshkujt po marrin më tepër përgjegjësi në ambientin ku jetojnë, kanë thyer tabutë se nuk mund të mbajnë përparëse, të lajnë enët apo hekurosin. Shembujt më të mirë janë personazhet publikë, të cilët shpeshherë merren si raste në shqyrtim në bisedat familjare. Pesë zotërinj të famshëm, përmes kësaj faqeje tregojnë raportin që kanë me punët e shtëpisë, sa i ndihmojnë partneret dhe çfarë dinë të bëjnë më mirë. Nëse jeni ende të lëkundur dhe nuk e keni thyer mentalitetin shqiptar, është mirë të shihni dhe lexoni me vëmendje këto rreshta… Sa interesantë në dukje, aq të vlefshëm në opinione! 

Dashamir Shehi politikan: Nuk vuaj nga paragjykimet, e ndihmoj partneren… 
Nuk i përket brezit të ri, ama edukata familjare i është rrënjosur herët. Karizmatik dhe i buzëqeshur, rrëfen: “Më mirë të ndajmë punët e shtëpisë sesa sherret. Burri të bëjë atë që di më mirë, e njëjta gjë vlen edhe për gruan.” E reflekton qartë që është mendjehapur dhe nuk ka komplekse që lidhen me krenarinë e tepruar mashkullore. Zoti Shehi shprehet se punëve të shtëpisë duhet t’u japim dinjitet, pasi ata/ato që janë të pamundur për t’u plotësuar në profesionin e tyre, të vlerësohen për çfarë bëjnë brenda mureve të shtëpisë. Ai tregon: “Në njërin prej vendeve të Europës Perëndimore shtëpiaket merrnin pension të posaçëm. Madje edhe nëse për hir të situatës së mirë financiare dikush punëson një punëtore shtëpie, fakti nuk i përjashton aspak të zotët të shkëpusin marrëdhëniet me të, sepse shtëpia kërkon përkushtim 24 orë në 24.” E ndërsa vitet kalojnë dhe familja shtohet në numër, edhe baballarët bëhen më të kujdesshëm. Politikani i mirënjohur thotë: “I kam kryer shumë shërbime sanitare fëmijëve të mi, kam ndenjur net pa gjumë, i kam çuar në kopshte e shkolla dhe nuk vuaj nga paragjykimet.” Njëherazi ai kontribuon edhe në punët hidraulike apo elektrike; në rastet kur bashkëshortja nuk është në kondicione optimale fizike, nuk ka drojë të marrë fshesën, të hekurosë apo gatuajë. “Në fund të fundit ndaj jetojmë bashkë, për të ndarë gjithçka: të lehtë apo vështirë, të bukur apo të shëmtuar”, – përmbyll Shehi këtë bisedë. Komplimente të merituara! 

Devis Xherahu, këngëtar: Punët e shtëpisë m’i mësoi emigrimi… 
"Duke qenë se mamaja ime e ka përkëdhelur disi babain në këtë aspekt, punët e shtëpisë jam mësuar t’i shoh të realizuara nga femrat”, – e nis kështu mendimin e tij lidhur me temën, këngëtari i mirënjohur, Devis Xherahu. Ama kur gjendesh i vetëm, larg shtëpisë dhe familjarëve, obligohesh të mësosh dhe të bësh punë shtëpie. Devisi rrëfen: “Periudha e emigracionit ka qenë e vështirë, gjithsesi i dedikoj një sërë vlerash të personalitetit. Edhe pse mundësitë financiare më lejonin të paguaja dikë, i shpalla sfidë vetes duke realizuar gjithçka. Meshkujt të bëjnë sa kanë mundësi, ama një femër duhet domosdoshmërisht të jetë amvisë e mirë”, - e kalon bisedën në një tjetër drejtim këngëtari. Me idenë se nuk ka receta fikse, Devisi tregon se ndikojnë disa faktorë, të tipit: përgjegjshmëria, mentaliteti, edukata familjare, dëshira... I pyetur nëse në fillimet e një lidhjeje dashurie do t’i jepte rëndësi ndarjes së punëve të shtëpisë, përgjigjet: “Mjafton që asnjëri mos të bëhet skllav i tjetrit. Nëse kontribuojnë secili me më të mirën e tij, atëherë debatet sheshohen. Kush ka më tepër kohë fizike, mund t’i përkushtohet shtëpisë në të gjitha format.” Është interesante ta shohësh se si pastron apo sistemon dhomat, ama rregulli është pika e tij e dobët. “Nëse diçka ma vret syrin, nuk pres asnjë sekondë, e marr dhe e dërgoj në vendin e vet”, - përfundon i çliruar. Bravo Devis! Ti je djalë për së mbari, tipik korçar… 

Frederik Ndoci, kantautor: Gatuaj shpesh, më pëlqen të kujdesem për fëmijët…
Nuk i zhgënjen asnjëherë pritshmëritë e adhuruesve kur nis të tregojë për familjen. Korrekt dhe i përkushtuar, pavarësisht sakrificave të mëdha në emër të artit, nuk e ka lënë kurrë në plan dytësor. Riku (siç parapëlqen ta thërrasin në rrethet e ngushta) pohon: “Sa herë gjendem bosh, më gjen në këndin e kuzhinës. Siç shijoj mirë, ashtu edhe gatuaj. Kam fantazi dhe realizoj receta të veçanta. Disa prej tyre i kam mësuar në vendet e ndryshme të botës ku kam jetuar, disa të tjera janë të trashëguara, me modifikimet e rastit.” Ka një tip alegro dhe të ofron komoditet për ta pyetur, duke pasur çdo moment një batutë që ndryshon atmosferën. “Nuk kam raport të mirë me fshesën, nuk e dua, hiç fare ama! Mund të më lësh gjithë ditën me fëmijët, kujdesem për ta në mënyrë të mrekullueshme. Vetëm duke më parë qëndrojnë larg lotëve”, – deklaron shkodrani simpatik. I nxjerr shëtitje në fundjavë, luan sikur të ndante të njëjtën moshë, i ushqen…, duke lartësuar përpara tyre figurën e babait. Bashkëshortja e tij, Alisa duhet të ndihet krenare për zgjedhjen që ka bërë! Ka përkrah një personazh të ekranit dhe skenës, që i jep prioritet në çdo kohë familjes, për më tepër bën edhe punë shtëpie… 

Neritan Liçaj, aktor: Merrem me shtëpinë plot dëshirë dhe kënaqësi…
Një njeri me energji të pashtershme, një aktor i shkëlqyer që reflekton lidhje të fortë me familjarët. Neritan Liçaj i konsideron punët e shtëpisë një mënyrë argëtimi. “Ambienti ku jeton duhet të jetë i pastër dhe i rregullt. Mirëmbajtja u takon të gjithëve, edhe fëmijëve. Duhet të mësohesh me punët, qysh kur je i vogël. Prindërit t’u mësojnë fëmijëve që të gjitha gabimet duhen kompensuar. Në rastin konkret: rrëmujat të rregullohen” – përgjigjet me vendosmëri. Nuk është i rrallë fakti që ta shohësh me përparëse, duke gatuar receta të preferuara. Ndihet i lumtur, se në ditët e pushimit mund të merret me diçka të vlefshme. Neritani pohon: “Koha që i dedikoj shtëpisë më shijon pa masë. Punët i realizoj me dëshirë dhe kënaqësi, sepse merr plot lëvdata dhe falenderime. Kështu forcon besimin te partnerja dhe raportin në çift.” Epo, të kushtëzohet harmonia vetëm nga punët e shtëpisë... Askush nuk duhet ta lejojë këtë! Për ta vënë në provë, e pyesim lidhur me pjatat që gatuan më shpesh, dhe pa hezitim aktori rrëfen: “Makaronat i kam specialitet. I kam mësuar në kohën kur jetoja në shtetin fqinj të Italisë. Me praktikë gjithçka perfeksionohet!” E përgëzojmë Neritanin! 

Sinan Hoxha, këngëtar: I ndërroj shtëpitë, nuk më mbetet kohë për punë…
Kurioziteti për ta parë në rolin e një shtëpiaku të devotshëm, na tundon të gjithëve! Në këtë foto, shkëputur nga programi “Dita Ime” në ekranin e “Vizion Plus”, po shihni një tjetër profil të këngëtarit të suksesshëm, Sinan Hoxha. Në duart e tij gjendet tava tradicionale e Elbasanit, të cilën e gatoi me mjeshtëri përpara kamerës. Pavarësisht se nuk ka naze në të ushqyer, më së tepërmi vaktet i konsumon në restorante, ai di të gatuajë. Këtë cilësi e ka të trashëguar nga mamaja, të cilën e konsideron njeriun më të rëndësishëm të jetës. Ai rrëfen: “Kam qenë i përkëdhelur. Në shtëpinë tonë të madhe kishte aq shumë femra, sa nuk më vinte radha për të bërë punë. Aq më tepër që mentaliteti e kushtëzonte mashkullin të qëndronte brenda katër mureve duke larë e shpëlarë. Jemi tironsa me taban!” Gjithsesi vëmendjen nuk e shkëpuste për të mësuar detaje nga këto punë, në pamje të parë të thjeshta. Meqë karrierën artistike e nisi në moshë të re, edhe udhëtimet e ndryshme nuk e lejonin të qëndronte gjatë diku. Sinani me sinqeritet thotë: “Unë i ndërroj shpesh shtëpitë. Nuk kam kohë t’i dedikohem njërës në veçanti. Sapo mësoj vendet e orendive diku, më duhet të pozicionohem diku tjetër. Kështu, jam gjithnjë i varur nga ndihmëset. Koha fizike e ka fajin, ajo është përgjegjëse, sepse unë i dua vërtet punët e shtëpisë. Janë një lloj relaksi mental, i përzier me aktivitet fizik. E ku ka më mirë?” Më duket një mendim mëse i drejtë! Meshkuj, përpiquni t’i mendoni kështu punët e shtëpisë, jo si të lodhshme apo të mundimshme!

(e.m/summerpages/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›