E Diel, 1 Nëntor 2026

VV: Bedri Hamza le të drejtojë financat e PDK-së, jo të Kosovës

Sot Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje me kandidaturën për Guvernator të Bankës Qendrore, e cila do të paraqitet të enjten, 14 mars, në Kuvendin e Kosovës. Kandidatura që ka mbështetjen e partisë në pushtet është ajo e ish Ministrit të Financave, i dorëhequr vetëm pak javë më parë nga ky post.

“Kandidati Bedri Hamza, anëtar dhe funksionar i Partisë Demokratike deri vonë, jo vetëm që nuk plotëson kushtin kryesor të paanshmërisë partiake, por dështon plotësisht edhe në plotësimin e kritereve profesionale për këtë post, kritere të cilat lidhen me dijeni dhe aftësi të larta në fushën akademike e profesionale në drejtim të sistemit financiar rol, të cilin ka sipas ligjit Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës. Propozimi i një kandidati të tillë do të thotë agresion i hapur ndaj funksionimit të sistemit financiar dhe Bankës Qendrore dhe praktikisht uzurpim nga Kryeministri edhe të këtij sektori”. ka vlerësuar VV-ja.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Banka Qendrore e një vendi, ashtu siç parashihet nga direktivat dhe traktati i BE-së, duhet të jetë e pavarur nga presionet, këshillimi apo ndikimi nga Qeveria apo cilido organ tjetër në vendimmarrjen e saj. “Çdo lloj veprimi i këtij institucioni duhet të jetë tejet transparent, derisa përgjegjësia duhet të jenë shembull udhëheqës për të gjithë sistemin në të cilin operon. Në këtë kuptim çdo lloj i ndikimit shkel mbi pavarësinë e këtij institucioni. Ndikimi në rastin konkret, pra me përzgjedhjen e Bedri Hamzës si kandidat për Guvernator, do të thotë që Kryeministri ka në plan të drejtojë de facto Bankën Qendrore, pra të zgjasë duart në të gjithë paratë, financat e Kosovës”, konsideron deputeti i VV-së Dardan Sejdiu.

VV-ja vlerson se përpjekja për kapjen e sistemit financiar me anë të Guvernatorit të Bankës nga Hashim Thaçi është një rrezik real për funksionimin dhe mbarëvajtjen e të gjithë sistemit financiar të vendit. Për këtë arsye, Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk do të legjitimojë kandidaturën e këtij partiaku të PDK-së për Bankën Qendrore, në Kuvendin e Kosovës, pra nuk do të qëndrojë në sallë. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›