VV: Kosova u ka borxh shqiptarëve në Mal të Zi

Krerët më të lartë të Lëvizjes "Vetëvendosje!" kanë zhvilluar një takim me subjektet politike shqiptare në Malin e Zi. Në këtë takim ka folur zyrtari i lartë dhe deputeti i kësaj lëvizje, Florin Krasniqi.
Krasniqi gjatë diskutimit të tij ka shprehur hapur obligueshmërinë e Kosovës dhe Shqipërisë për ndihmë në realizimin e të drejtave të shqiptareve në Mal të Zi.
Ai paraqiti një të dhënë shumë interesante sa i përket ndihmës që diaspora shqiptare nga Mali i Zi në SHBA ka dhënë për ndihmë luftës së UÇK-së, shkruan ina.
"Më shumë mjete financiare për UÇK-në në SHBA kanë dhënë shqiptaret e Malit të Zi, se sa shqiptaret e Kosovës", deklaroi Krasniqi.
Ish-aktivisti i mirënjohur i diasporës shqiptaro - amerikane, Florin Krasniqi ka nxitur edhe vëmendjen e mediave malazeze, të cilat kanë ndjekur këtë ngjarje dhe qëndrimet e shprehura.
Shtypi malazez, posaçërisht e përditshmja Vijesti, e ka ndjekur dhe pasqyruar takimin e politikanëve shqiptarë nga Mali i Zi me udhëheqësit më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje nga Kosova. Mediat malazeze kanë akuzuar deputetin Krasniqi, duke e ndërlidhur atë me luftën e vitit 1999 dhe duke e fyer si kontrabandist armësh.
Por, ndaj këtyre reagimeve ka reaguar deputeti i partisë Forca Shqiptare në Podgoricë, Genci Nimabegu, i cili ka nënvizuar se Florin Krasniqi është deputet i i Kuvendit të Kosovës si dhe bëhet fjalë për një bashkëbisedues të respektuar.
Po ashtu Nimanbegu shtoi se liderët e Vetëvendosjes, Kurti dhe Krasniqi, në takimin në fjalë janë munduar që të ndihmojnë në krijimin e kushteve për dialog në mes të kolegëve të tyre në Mal të Zi.
Ai sqaroi se shqiptaret kanë të drejtë që të komunikojnë me të gjithë politikanët legjitim në rajon duke shtua edhe faktin se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka politikë negative karshi Malit të Zi.