VV: Presidente, Serbisë nuk i mjafton as fusnota as marrëveshja

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, ftesa e munguar për përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, që po mbahet ne Ohër nën patronatin e Presidentit të Maqedonisë, George Ivanov, duhet kuptuar si pasojë e drejtpërdrejtë e negociatave të dëmshme që Hashim Thaçi dhe Qeveria e tij por zhvillojnë në Bruksel për dy vjet me radhë. Po ashtu ky rast do të duhej të kuptohej nga të gjitha institucionet si alarmi i fundit për të hequr dorë nga negociatat dhe për të ndërtuar një politikë të jashtme që ka në qendër interesin e Republikës sonë.
“Qasja e deritashme e institucioneve të Kosovës, e cila e konsideron avancimin e pozitës ndërkombëtare të Serbisë si zhvillim pozitiv dhe shpreson se ky avancim do të reflektohet pozitivisht ndaj Kosovës, po i merr goditjet e saj të pritura. Kjo qasje jo vetëm që është e gabuar por po i shkakton dëme të vazhdueshme shtetit. Mosftesa e Kosovës në Samitin e Ohrit konfirmon këtë degradim të paralajmëruar”, thuhet në komunikatën për media të VV-së.
Sipas tyre, në shkurt të vitit 2012, edhe Edita Tahiri, negociatorja e dialogut teknik, edhe Hashim Thaçi këmbëngulnin se vendosja e fusnotës tek emërtesa "Republika e Kosovës" ishte një arritje në politikën e jashtme që siguronte përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në takime rajonale e ndërkombëtare. Madje zëvendëskryeministrja u përpoq të siguronte opinionin publik se fusnota do të shkrihej si fjollë bore me ardhjen e pranverës.
“Fusnota jo që nuk u shkri por edhe institucione të tjera ndërkombëtare e vendosën atë në secilin dokument zyrtar, madje dhe në komunikatat për media të përfaqësuesve të BE-së.
Kryeministri i Kosovës, premtonte në fillim të dialogut në tetor të 2012, se procesi do ta thyente izolimin e Kosovës dhe se 5 vendet e BE-së do ta njihnin Kosovën. Ajo që po ndodh në realitet është se dialogu po defunksionalizon Kosovën dhe po thellon me tutje izolimin e Kosovës duke forcuar ndikimin e Serbisë karshi vendeve të rajonit dhe BE-së”, thuhet në komunikatë./Indeksonline/