VV: Privatizimi i KEDS dhe Telekomit dëmtojnë ekonominë e Kosovës

KEDS-i po del që nuk është shitur as për 26 milionë euro. Pas atyre 15 milionë eurove për orët digjitale tash kanë dala edhe 17.8 miliona tjerë. Kësisoj, KEDS-in po del se i kanë dhënë para Çalik-ut që ta merr. Blerësit po del se shitësi i ka borxh.
Kështu ka vlerësuar Lëvizja Vetëvendosje!, ku mbajti sot një konferencë për media, e ku Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu paraqitën të dhënat mbi dëmtimin e interesit publik, dëmtimin e pronës publike dhe parregullsitë, që janë rezultat i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë, konkretisht i KEDS dhe Telekomit.
“Shtrohet pyetja se pse është caktuar kjo shumë 17.8 milion euro. Për shkak se koha sa ZRrE mund të ndikojë në çmim është e kufizuar. Me 1 janar 2015 ZRrE nuk do të mund të ndikojë në çmimin e operatorëve të liçensuar. Ligji 03/L-185 për rregullatorin e energjisë Neni 41, Pika 1.2. thotë: "Pas 1 Janarit 2015 Zyra e Rregullatorit të Energjisë do të ndërpresë caktimin e tarifave të cilat u ngarkohen konsumatorëve nga ndërmarrja e energjisë elektrike që mban licencën për furnizim publik, përveç nëse Zyra nuk është e kënaqur me efektshmërinë e konkurrencës në furnizimin e energjisë elektrike."”, thanë drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tyre, Neni më lart nga Ligji për rregullatorin tregon qarte se pas 2015, kur duhet të liberalizohet tregu i furnizimit, ZRrE-ja nuk do të këtë kurrfarë roli në përcaktimin e çmimit dhe të tarifave të energjisë elektrike.
“Gjate tërë kohës sa herë që është ngritur shqetësimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike ministri është thirrur në ZRrE-në. Ndërkohë që kjo, edhe po ta kishte mundësinë e plotë e reale tash për tash, këtë mundësi nuk do ta këtë as formalisht pas një viti e gjysmë”, konsideron VV.
Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka asnjë justifikim apo shpresë se blerësi nuk do të kërkojë ngritjen e çmimit të energjisë, dhe se ZRrE mund të bëjë rezistencë edhe një apo dy herë të tjera por presioni i kompanisë tek KEK (furnizuesi) dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik shumë shpejt do të sjellë ose në ngritje të çmimit ose në mbulim të kësaj diference nga buxheti për llogari të kompanisë.
Me faljen e KEDS-it monopoli publik, sipas Vetëvendosjes, po bëhet monopol privat. “Nuk ka asnjë indicie që privatizimi i Distribucionit do të krijojë diçka "të re" në kuptimin e konkurrencës dhe "përfitimeve" prej saj pra çmime më të favorshme apo përmirësim cilësie në shërbime. Në kushtet e një monopoli të tillë, ku varshmëria e Qeverisë, e çdo qeverie jo veç e kësaj, nga Çalik-Limak është 100% rrezikohen seriozisht investimet e pretenduara në shifrën 300 milionë”. /Indeksonline/