VV kandidon Dervish Çadraku për Kryetar të Rahovecit

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se ka zgjedhur Dervish Çadraku si kandidat për kryetar të Rahovecit. Në komunikatën e kësaj lëvizjeje thuhet se ata besojnë në Dervish Çadrakun dhe në qytetarët e Rahovecit.
“Gjendja e rëndë dhe e papërballueshme ekonomike dhe sociale e Kosovës në përgjithësi dhe e Rahovecit në veçanti, ishte motivi kryesor e ka shtyrë të angazhohet në Lëvizjen Vetëvendosje! Komuna e Rahovecit ka nevojë por investime në bujqësi. Prodhuesit e rrushit dhe të perimeve kanë përfitime simbolike. Për shkak të politikave të këqija, nuk kanë treg, prandaj një sasi të konsiderueshme të këtyre prodhimeve ose shiten me çmime simbolike ose hidhen. Rahoveci ka nevojë për investime në shëndetësi, si dhe në arsim, ku mungojnë bibliotekat, kabinetet e teknologjia informative”, theksoi Çadraku.
Ndërkaq kryetari i VV-së Albin Kurti, uroi Çadrakun për fitoren e tij në kandidaturën për Kryetar të Komunës së Rahovecit.
“Dervish Çadraku është një veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare, i burgosur politik disa herë, luftëtar i shquar i UÇK-së e komandant i Kompanisë III të Brigadës 124 “Gani Paçarizi”. Është ekonomist i diplomuar që ka punuar si mësimdhënës e si asambleist komunal, në ndërmarrje e në administratë”, tha Kurti. Sipas njotimit të VV-së, Kurti ka folur edhe për Krushën e Madhe, e cila ia dha Kosovës dhe kombit shqiptar profesor Ukshin Hotin, mendjen më të ndritur dhe guximtarin më të paepur të kohës sonë e të historisë sonë më të re.
Kjo është kandidatura e tretë për kryetar komune, që Lëvizja VV ka bërë publke./Indeksonline./