MTI: Është e kundërta e akuzave të LDK-së

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka reaguar kundër komunikatës së Lidhjes Demokratike që e akuzon për keqpërdorim të fondeve që kapin shifrën 1 milion euro.
“LDK duhet t’i mbështesë akuzat me fakte dhe argumente dhe jo si në rastin e reagimit për Fondin e Kuadrove, ku konkretisht kanë prekur vendimet e zëvendëskryeministres për Ekonomi Mimoza Kusari - Lila, si udhëheqëse e këtij fondi. Sikur LDK të ishte e interesuar për këtë çështje, do duhej të vinin me rekomandime për përmirësimin e vlerësimit të stafit civil”, thuhet në këtë komunikatën e MTI-së.
MTI-i ka njoftuar se 11 zyrtarë që përfitojnë nga Fondi i Kuadrove.
Përfitues të këtij fondi janë edhe sipas MTI-së, Zyra e Kryeministrit me 10 persona, Ministria e Zhvillimit Ekonomik me 12 zyrtarë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal me 8 persona, si përfitues të këtij fondi. Në Ministrinë e Integrimeve Evropiane janë aprovuar 27 persona që marrin Fond të Kuadrove, ndërsa 9 zyrtarë marrin fond të kuadrove nga Ministria e Infrastrukturës. Përfitues i këtij fondi është Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me 11 persona, numër të njëjtë mbanë edhe Ministria e Administratës Publike (pra 11 persona). Gjithashtu 34 zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë janë pjesë e shtesave të Fondit për Kuadro, Ministria e Financave ka gjithsej 31 persona, Ministria e Shëndetësisë ka 26 zyrtarë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka 3 zyrtarë, Ministria e Punëve të Brendshme ka 6 persona, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka 9 persona, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka 9 persona, Ministria e Kthimit dhe Komuniteteve ka 2 persona dhe Ministria e Diasporës ka një person që merr Fond të Kuadrove.
Në komunikatën e MTI-së citohet edhe komunikata e LDK-së “disa nga personat e përfshirë në këtë skemë janë të tillë që sapo kanë filluar punën dhe nuk kanë asnjë përvojë”, ndërkaq MTI thotë se “për hir të së vërtetës, bashkëpunëtorët e ministres, gjegjësisht zyrtarët e lartë të kësaj ministrie janë tërësisht të kualifikuar dhe me eksperiencë të mirëfilltë pune. Kemi dëshmuar dhe vazhdojmë të punojmë me transparencë, andaj të nderuar përfaqësues të LDK-së, është e ultë që të bëni deklarime të pabazuara në fakte”./Indeksonline./