VV vendos një flamur në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka përgatitur terrenin për të vendosur flamurin në institucionin më të lartë vendit.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se kjo ditë duhet të rikujtoj të gjithëve projektin e rilindësve tanë.
“Është ky moment që duhet uruar të gjithë shqiptarët për këtë ekzistencë të shtetit shqiptarë. Po është shumë me rëndësi që kjo ditë të shfrytëzohet për reflektim për këto 100 vite që i ka kaluar populli jonë, për vështirësitë që ka kaluar kombi ynë, veçanërisht për vështirësitë me të cilat po ballafaqohemi sot dhe për të ardhmen e kombit tonë. 28 nëntori duhet të na kujtoj se projekti i rilindësve, për një Shqipëri të pavarur dhe sovrane, ende nuk është realizuar ky projekt, duhet të jetë projekti i secilit prej nesh dhe të gjithëve së bashku”, ka theksuar Ymeri.
Duhet të kujtohet që trojet shqiptare janë të ndarë dhe populli është duke jetuar në varfri, për shkak se jemi të ndarë, gjë që sipas Ymerit bashkimi do të na bënte më të fort, më të fuqishëm dhe do të garantonte sovranitetin shqiptareve.
Gjithashtu ai ka thënë se duhet të kujtohet që Kosova edhe pas pesë viteve pavarësi nuk ka arritur ta kontrolloj territorin e vet.
Ymeri ka thënë se ky 100 vjetor e gjen Kosovën si një popull që dëshiron të bashkohet, pasi që Kosova dhe populli i Kosovës janë pjesë e popullit shqiptarë dhe është e natyrshme që vullneti i popullit i dëshmuar gjatë këtij 100 vjeçari është që të bashkohet në kombin amë dhe të bëhet një Shqipëri.
Ndërkohë për deklaratat e kryeministrit Hashim Thaçi, Ymeri ka thënë se kryeministri e thotë fjalën bashkim pa e menduar.
“Sa i përket deklaratave institucionale, të krerëve institucional,veçanërisht të kryeministrit Thaçi, unë i propozoj qytetarëve dhe popullit, që atij më shumë t`ia shohim vlerat se sa deklaratat . Kemi parë që kryeministri nuk përton të jep deklarata gjithë andej nëpër vende të ndryshme dhe të thotë ato fakte që nuk i mendon. Por ne duhet atij të ia shohim veprat dhe t’i thotë ato fjalë që nuk duhet thënë, por ne duhet t`ia vlerësojmë atij veprat. Nuk mund të bëhet Shqipëria në negociata më Serbinë. Nuk mund të sigurohet sovraniteti i plotë i Kosovës duke bërë Serbinë faktor”, ka thënë ai.
Ndërkaq i pyetur rreth idesë së referendumit të Aleancës Kuq e Zi për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, ai ka thënë se këtë ide e kanë kuptuar vetëm dy ditë më parë dhe nuk ka mundur të jap një përgjigje për këtë.
Por ai ka thënë se kjo ide do të trajtohet në Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që siç thotë ai referendumi i mbajtur në Shqipëri dhe Kosovë e përcakton edhe bashkimin e dy shteteve. /kosovapress/