E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vajza 15-vjeçare i ndryshoi jetën”/ Shqiptari shpenzon 60 mijë euro për t’u dhuruar shqiptarëve libra falas!

Një kërkesë e thjeshtë nga vajza e tij 15-vjeçare u kthye në një mision kombëtar. Rexhep Aliu, sipërmarrësi shqiptar nga Tetova, vendosi të sfidojë mungesën e librave audio në shqip dhe të krijojë një platformë që sot po prek zemrat e mijëra shqiptarëve kudo në botë.

Gjithçka nisi kur vajza e tij, e rritur në Gjermani, pyeti me habi: “Pse në gjermanisht ka libra audio, ndërsa në shqip jo?” Një pyetje që nuk e la të qetë Rexhepin.
Pa qenë programues dhe vetëm nga pasioni, ai investoi mbi 60 mijë euro nga xhepi i tij, duke ndërtuar platformën digjitale “iLIBRI”, një bibliotekë audio falas që u mundëson shqiptarëve të dëgjojnë libra shqip kudo dhe në çdo kohë.

Nga historia e kombit, kultura e deri tek letërsia shqipe, përdoruesit mund të dëgjojnë libra, t’i shkarkojnë offline dhe të vazhdojnë dëgjimin aty ku e kanë lënë. Një projekt që Rexhepi e quan mision shpirtëror më shumë sesa biznes.
Libri i parë në këtë bibliotekë audio ishte “Skënderbeu”, i realizuar pas konsultimeve me regjisorin Fatmir Koçi dhe i lexuar nga aktori Xhino Musollari, ndërsa regjistrimi u bë në studion e reperit të njohur MC Kresha.

Por sfida nuk mbaron këtu.
Pas përfshirjes së Kuranit në version audio, Rexhep Aliu zbulon se shumë shpejt do të vijë edhe Bibla audio, sepse – siç thotë vetë – nuk dëshiron të bëjë ndasi feje, por të sjellë për çdo shqiptar mundësinë për të dëgjuar fjalën e Zotit në gjuhën amtare. Një tjetër ëndërr e madhe është edhe “Lahuta e Malcisë”, që për herë të parë do të vijë si libër audio në gegnisht. Sfida? Gjetja e aktorit të duhur nga veriu që ta lexojë ashtu siç e meriton kjo vepër monumentale.

Në këtë rrugëtim nuk i kanë munguar mbështetësit: nga aktori Blerim Destani, tek MC Kresha dhe artistë të tjerë shqiptarë që i kanë hapur dyert pa kërkuar asgjë në këmbim. Sot aplikacioni është i disponueshëm për iPhone dhe shumë shpejt pritet të vijë edhe për Android. Por Rexhep Aliu ka edhe një thirrje publike: Akademitë e Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës t’i tregojnë librat më të fortë për historinë shqiptare, sepse ai është gati t’i kthejë në audio dhe t’ua dhurojë shqiptarëve falas.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›