E Martë, 3 Nëntor 2026

Vajzat me uniformë ushtarake, 19-vjeçarja Sonja Bako prej një viti pjesë e FA

Pjesë e stërvitjes ushtarake tre ditore në zonat malore të Voskopojës kanë qenë edhe 13 vajza e gra, si pjesë e dy nënreparteve të Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut.

Njëra prej tyre është Sonja Bako nga Kuçova, e cila prej një viti i është bashkuar Forcave të Armatosura.

“Shërbej në forcat tokësore dhe jam pjesë e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut. Më është dukur gjithmonë interesante që të shërbeja në forcat tokësore. Isha shumë kureshtare. Aplikova, bëra edhe disa kurse dhe më pas u bëra pjesë e forcave të armatosura,” thotë ushtarakja e re.

Sonja tregon se është ndier e mirëpritur në batalionin ku bën pjesë.

Për 19-vjeçaren kjo stërvitje ushtarake, pavarësisht vështirësive për shkak të kushteve të motit, ka qenë një eksperiencë e bukur.

“Ka edhe disa vajza të tjera që janë pjesë, jo vetëm në batalionin tim, por edhe në batalione të tjera. Nuk është se ndihesh e diferencuar apo e paragjykuar,” thotë ushtarakja Bako.

19-vjeçarja ka një thirrje për të rinjtë që të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura.

“Është vërtet një punë e mirë, si nga ana ekonomike, por edhe një punë që të mëson shumë gjëra të reja që nuk i di,” thotë ushtarakja 19-vjeçare.

Ashtu si Sonja ka edhe shumë gra e vajza që janë pjesë e sektorit të mbrojtjes në vendin tonë. 

Përfaqësimi gjithnjë e më i lartë i tyre në fushën e mbrojtjes përbën një vlerë të shtuar, në agjendën e të drejtave të grave e vajzave në shoqërinë shqiptare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›