Vrasja e prindërve nga fëmijët, sociologu Tushe: Familja ka dalë nga binarët, krimet do shtohen

Sociologu Gëzim Tushe apelon për një rregullim të institucioneve si familja, arsimi dhe media, të cilat kanë një rol jetik në krijimin e një shoqërie me vlera demokratike. Sipas tij nëse nuk ka një rishikim të këtyre institucioneve, atëherë krimet do të vijnë duke u shtuar dhe se këto ngjarje çnjerëzore do të kthehen në normale në shoqëri.
Në “Jetë Shqiptare” në RTSH, Tushe thotë se institucioni i familjes është i “sëmurë” prandaj duhet gjetur “ilaçi i duhur” për të shëruar “diagnozën e një familje që ka dalë nga binarët”.
Për sociologun Tushe 3 janë faktorët që kanë ndikuar në rritjen e krimeve që janë problemet me familje, problemi me median dhe probleme me institucionet e ndëshkimit të krimit.
“Ngjarja e fundit është në përmasa çnjerëzore dhe ka qenë e parashikuar nga psikologët e shekullit të kaluar se në shekullin 21 gjërat që janë çnjerëzore të bëhen normale dhe të pranueshme për shoqërinë. Prisja që ky shekull të ishte më human, më njerëzor dhe me forcim të institucionit të familjes. Mua më duket se kemi të bëjmë me një trekëndësh që sjell problematikën që janë problemet me familje, problemi me median dhe probleme me institucionet e ndëshkimit të krimit. Një rishikim i medias është i nevojshëm. Pa diskutim media ka një mision informativ por gjithmonë jemi të prirur që media duhet të jetë në “përputhje me diagnozën që ka nevojë shoqëria”. Për të kapur lajmin dhe marrë shikueshmërinë shkelen disa nga parimet kryesore të medias”, ta Tushe.
Lidhur me problemet në familje Tushe thekson se kalimi nga një sistem autoritar tek liria e individit dhe përdorimi i alkoolit dhe lëndëve psikotrope po prish marrëdhëniet në familje dhe personalitetin e njerëzve.
“Çështja tjetër është familja, që si institucione po pëson dëmtime të jashtëzakonshme në marrëdhëniet brenda e saj. Fakti që krimet janë përqendruar te familja, kjo tregon se ky institucion është duke dalë nga binaret. Familja shqiptare nuk është në binar. Disa nga shkaqet e shkatërimit të familjes janë: Një është procesi i demokratizimit të familjes. Nga një familja autoritare po kalohet tek demokratizimi i tyre dhe uni dhe liria e çdo individ po del në pah. E dyta janë problemet e lidhura me marrëdhëniet interesash lidhur me pronën dhe pasurinë. E treta të rinjtë kërkojnë nga familja atë që ata nuk kanë mundësi t’u japin prindërit dhe e katërta është zgjerimi i përdorimit të lëndëve psikotrope që prishin marrëdhëniet dhe cenojnë personalitetin e tyre. Të gjithë personat që kryejën krime ose përdorin lëndë psikotrope ose janë konsumues të alkoolit. Situata është shqetësuese pasi problemi është se familja është shumë sëmurë dhe po nuk shëruam atë nuk do ketë përmirësim të situatës dhe krimet do vijnë duke u intensifikuar”, tha Tushe.
Diskutimi i fenomenit të krimeve në familje erdhi pas ngjarjes së rëndë në Durrës, ku tre fëmijë u arrestuan dhe ndodhen në burg për vrasjen e babit të tyre.
Ngjarja e Shënavlashit në Durrës ku tre fëmijët vranë babin e tyre ka tronditur gjithë opinionin publik, por kjo nuk është ngjarja e parë kur fundi prindërve u vjen nga fëmijët e tyre.
11 shkurt 2024
Ike Sokoli u gjet e vdekur në banesë nga nipi në fshatin Vilë-Bashtovë të Rrogozhinës. 75-vjeçarja humbi jetën nga dhuna fizike e të birit, Ndriçim Sokoli, 35 vjeç, me probleme të shëndetit mendor.
1 shtator 2023
Mato Gllucaj, 23 vjeç, organizoi vrasjen e babait Durmish Glluçaj, 56 vjeç të Gjorm të Vlorës. Në sobën me gaz që e mbanin në oborrin e shtëpisë duke vendosi eksploziv për shkak se dhunonte dhe fillimisht tentoi të fsheh ngjarjen.
25 gusht 2022
Mariglen Muhametaj, 30-vjeç, me probleme të shëndetit mendor, vrau me sende të forta babanë e tij, Qemalin, 73-vjeç, në Greshnicë të Mallakastrës.
26 korrik 2021
Ylber Lezi, 47 vjeç, u vra me sende të forta në shtëpi nga gruaja dhe vajza e tij, Mine Lezi dhe Aida Lezi, 51 dhe 21 vjeçe, në Bulqizë. Lezi ishte përdorues i rregullt i alkoolit, ndërsa gruaja e tij me probleme të shëndetit mendor.
6 gusht 2020
Në Buçimas, pranë qytetit të Pogradecit, 44-vjeçari Olsi Çekiçi, i sëmurë me probleme mendore, pas një konflikt verbal me të ëmën, Firdes Çekiçi, rrëmbeu thikën nga kuzhina dhe e goditur atë.
7 qershor 2018
Qemal Sela, 26 vjeç, qëlloi me plumba automatiku nënën dhe babanë e tij, Flamur Sela, 55 vjeç, dhe Zeqimete Sela, 50 vjeçe. I riu ishte kthyer një ditë më parë nga Anglia dhe kishte debatuar rëndë me të atin.
29 qershor 2017
Burrë e grua, Ali e Jenie Nika u gjetën të vdekur në derën e shtëpisë në Durrës. Vrasës i të dyve ishte djali Leo Nika, 29 vjeç, i cili pas një debati qëlloi drejt tyre me çifte.
21 prill 2016
Ardit Zenelhoxha, 30 vjeç, mbyti me duar nënën e tij Hedije Zenelhoxha, brenda në shtëpi në lagjen “Çlirimi” të Elbasanit. I riu sipas policisë, vuante prej kohësh nga depresioni dhe ishte në vështirësi ekonomike.
/rtsh.al/