Vakanca në “Kushtetuese”, KED pezullon procedurën: Ka pak kandidatë, Kuvendi të rishpallë thirrjen

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka pezulluar procedurën e verifikimit të kandidaturave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese ndërsa i bën thirrje Kuvendit të rishpallë thirrjen për vendet vakante.
KED argumenton se numri i kandidatëve në garë nuk ishte formuar (më pak se tre), dhe gjendur në këto kushte, e në respekt të dispozitave kushtetuese e ligjore, i kërkoi Kuvendit që të vlerësojë rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave të reja.
Më 30 shtator 2024 ishte shpallur nga kuvendi thirrja për plotësimin e vakancën në gjykatën Kushtetuese për zëvendësimin e mandatit të Elsa Toskës, e cila dha dorëheqjen.
“Meqenëse numri i kandidatëve në garë, pas verifikimit kushteve ligjore, ka rënë nën 3 (tre), në respekt të dispozitave kushtetuese e ligjore, si dhe në funksion të parimit të rritjes konkurueshmërisë e të sigurimit të numrit minimal të kandidaturave vendosë pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave dhe njoftimin e subjektit që e ka vënë në lëvizje, Kuvendin e Shqipërisë, për të vlerësuar rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për pozicionin vakant në Gjykatën Kushtetuese, shpallur më datë 30.09.2024”, thuhet në njoftimin e KED.
Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska dhe dorëheqjen më 19 shtator 2024, mandati i të cilës përfundonte në 2025. Ligji parashikon se përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet me një të tretën e saj, mandati i të cilëve do të përfundonte në të njëjtin vit: tre në 2025, tre në 2028 dhe tre në 2031.
Dorëheqja e Elsa Toskës, u pasua nga vendimi i kryetares së parlamentit, Elisa Spiropali, për shpalljen e vakancës për një mandat që përfundonte, jo në vitin 2025, për në vitin 2028. Ky proces nxit tensione ndërmjet Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Presidentit, pasi rriten shqetësimet për mënyrën se si ripërtërihet Gjykata Kushtetuese, në mënyrë që të mos krijohen pengesa.
/rtsh.al/